Lajme

Ambasada amerikane kërkon nga Serbia që të sjellë para drejtësisë vrasësit e vëllezërve Bytyqi


Vëllezërit Bytyqi.

Ambasada Amerikane në Beograd në 24 vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, i ka kërkuar Serbisë që të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e këtij krimi.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Ambasada ka thënë se përderisa askush nuk është përgjegjës akoma për këtë vepër “është fyerje ndaj shtetit të së drejtës”.

“Kanë kaluar 24 vjet që kur shtetasit amerikanë Ilir, Mehmet dhe Agron Bytyqi u ekzekutuan derisa ishin të paraburgosur nga policia speciale serbe. Çdo vit që kalon pa u mbajtur askush përgjegjës për këtë krim brutal lufte është një fyerje ndaj shtetit të së drejtës”.

Ambasada ka thënë ky rast duhet të hetohet plotësisht nga institucionet e Serbisë.

“SHBA-të i bëjnë sërish thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të nxjerrë para drejtësisë ata që kanë kryer dhe kanë mbuluar këto vrasje. Ne do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së në Serbi, në Twitter.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 23 qershor përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ndërsa ka kujtuar vëllezërit Bytyqi në 24 vjetorin e arrestimit të tyre nga autoritetet shtetërore të Serbisë, me ka potencuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet për të arritur drejtësi ndaj tyre.

Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi, më 23 qershor të vitit 1999, sipas kryeministrit Kurti, kishin ndërmarrë një nismë shumë njerëzore duke përcjellë kështu një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbi, megjithatë të njëjtit pasi kishin kaluar paqëllimshëm kufirin mes Kosovës dhe Serbisë ishin arrestuar nga policia serbe duke u dënuar kështu nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgosje.

Vëllezërit nga Kosova që jetonin dhe vepronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët gjithashtu kishin shtetësi amerikane, ishin vrarë 23 vjet më parë nga njësitë speciale të policisë serbe në territorin e Serbisë.

Trupat e tyre janë gjetur më vonë në një bazë në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë, e cila është kontrolluar nga Goran Radosavljeviç – Guri. Ata u gjetën mbi një varreze masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova.

Vëllezërit Bytyqi, shtetas amerikanë, ishin bashkuar ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në kuadër të Batalionit “Atlantiku”.

Pas bombardimeve të NATO-s dhe përfundimit të luftës në vitin 1999, ata u arrestuan në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Pasi qëndruan në burg për 15 ditë, ata u liruan, por policia serbe i dërgoi ata në bazën e Njësive speciale kundër terrorit të Ministrisë së Brendshme serbe në Petrovo Sello, që ishte nën komandën e Goran Radosavleviçit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore