Lajme

Ambasada Amerikane kërkon mbylljen e çështjes së të pagjeturve: Të jetë prioritet


Flamuri i Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Ambasada Amerikane në Prishtinë, në ditën e Personave të Zhdukur me Dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë ka kërkuar që gjetja e këtyre personave të jetë prioritet nga institucionet.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ nga ambasada është thënë se do të vazhdojnë të jenë në përkrahje të familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre.

“Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur të Kosovës, ne qëndrojmë me anëtarët e familjes që ende, dekada më vonë nuk e dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre të zhdukur”.

“Gjetja e përgjigjeve që sigurojnë mbylljen e çështjes për familjet e të zhdukurve duhet të jetë prioritet”, thuhet në rrjetin social ‘Twitter’.

Qeveria e Kosovës të mërkurën e 27 prillit, mbajti mbledhjen e 140-të, ku mori 22 vendime, ndër të cilët edhe inicimin e aderimit të Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Ky vendim u mor në prag të shënimit të Ditës së Personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Por çka është Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur?

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) është një organizatë ndërqeveritare që trajton çështjen e personave të zhdukur që kanë ndodhur si rezultat i konflikteve të armatosura, shkeljeve e të drejtave të njeriut, apo fatkeqësive natyrore.

Komisioni ndihmon qeveritë e shteteve përkatëse në zhvarrosjen e varreve masive dhe identifikimin e ADN-së të personave të zhdukur. Po ashtu, ofron mbështetje për shoqatat dhe familjarët e personave të zhdukur dhe ndihmon në krijimin e strategjive dhe institucioneve për kërkimin e personave të zhdukur.

Selia e saj është në qytetin holandez, Hagë.

Në fund të vitit 2014, është nënshkruar një traktat, ku u themelua komisioni si një organizatë ndërkombëtare. Nënshkrues të këtij traktati janë pesë vende: Holanda, Mbretëria e Bashkuar, Suedia, Belgjika dhe Luksemburgu.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore