Lajme

Ambasada amerikane: Është koha për të rikthyer dialogun


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

I ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Nicholas Gjacobbe, e ka mbështetur largimin e Njësisë Speciale dhe heqjen e barrikadave në Veri të Kosovës.

Gjacobbe deklaroi se me këtë veprim Kosova dhe Serbia janë duke e zbatuar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për targat në hyrje dalje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Progres i mirë nga Kosova dhe Serbia pas implementimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja në kufi”, ka shkruar ai në Twitter.

Ndërsa ka thënë se trupat e KFOR-it do të qëndrojnë për dy javë në kufi, teksa u ka bërë thirrje shteteve që të vazhdojnë dialogun.

“Prezenca e përkohshme e KFOR-it, për dy javë ne presim që funksionimi i kufirit të kthehet në normalitet. Koha që të ecet përpara në këtë momentum dhe të rikthehet seriozisht dialogu”.

Të shtunën e 2 tetorit, është përmbushur pika e parë e marrëveshjes së Brukselit për çështjen e targave. Protestuesit serb janë larguar nga pikat kufitare ku tash e disa ditë po protestonin, dhe me vete kanë marrë automjete me të cilat kishin bllokuar rrugët.

Marrëveshja parashihte që rrotullimi të bëhej me fillim në orën 08:00 dhe ende pa shënuar kjo kohë, veçmë janë parë ushtarët e parë të KFOR-it.

Gjithashtu, me mëngjes filloi edhe organizimi për largimin e kamionëve që kishin bllokuar rrugën në disa vende, duke formësuar kështu bllokada të pakalueshme në rrugë.

Gjithçka ka kaluar pa aksidente, megjithëse ka pasur disa momente paqartësie.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës mori vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Për 12 ditë dy pikat në Mitrovicën e Veriut Jarinjë e Bërnjak qëndruan të bllokuara si shenje proteste nga qytetarët serbët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore