Teknologji

Amazon Care zgjerohet përtej punonjësve të kompanisë


Kompania Amazon do të ndihmojë në sigurimin e kujdesit shëndetësor të përdoruesve përmes zgjerimit të shërbimit të saj Amazon Care.

Agjencia e lajmeve, CNN, zbulon se kompania po zgjeron shërbimin Amazon Care, i cili aktualisht u siguron punonjësve të tij me qendër në Washington, mundësinë e shërbimeve shëndetësore personale në mënyrë virtuale.

Tanimë, Amazon-i po planifikon të ofrojë shërbimin edhe te ndërmarrjet e tjera si një përfitim që u shkon punonjësve në vendin e punës.

Kompania ka bërë me dije se shërbimi ka rezultuar i suksesshëm për dhjetëra mijëra punonjës të Amazon-it në Washington ku shërbimi ka nisur 18 muaj më parë.

“Duke e trajtuar shërbimin Amazon Care si një përfitim në vendin e punës, punëdhënësit investojnë në shëndetin dhe mirëqenien e pasurisë së tyre më të rëndësishme: punonjësit e tyre”, ka deklaruar kompania.

Lidhur me funksionimin e shërbimit, Amazon Care-i u ofron punonjësve akses sipas kërkesës, qoftë biseda virtuale qoftë vizita video, me ofruesit mjekësor, të cilët sigurojnë trajtimin e sëmundjeve ose lëndimeve, testin e Covid-19, konsultim për ushqyerjen ose planifikimin para shtatzënisë.

Më pas, mjekët mund të porosisin ilaçe me recetë që dorëzohen në shtëpinë e pacientit nga vetë Amazon-i. Gjithashtu, ofruesit e shërbimit mundësojnë edhe shërbime mjekësore shtesë në shtëpinë e punonjësit, si marrja e gjakut për kryerjen e analizave.

Zgjerimi i shërbimit Amazon Care është pjesë e përpjekjeve të fundit të kompanisë për të rritur praninë e saj në industrinë e kujdesit shëndetësor.

Përpjekjet kanë nisu në vitin 2018 me blerjen e farmacisë digjitale, Pill Pack, për 700 milionë dollarë. Ndërsa vitin e kaluar, kompania lancoi Amazon Pharmacy , e cila u ofron klientëve receta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore