Shqipëria

AMA u tërheq vëmendjen 4 televizioneve për shkelje të rregullave të transmetimit


Autoriteti i Mediave Audiovizive u ka tërhequr vëmendjen katër televizioneve për shkelje të konstatuara.

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, ka bërë me dije se nga monitorimet e kryera nga Drejtoria e Monitorimit dhe Analizës janë konstatuar shkeljet e kryera nga tre televizione, për transmetimin e reklamave brenda edicioneve informative – përfshirë edhe komunikimet tregtare të fshehura.

Po ashtu është konstatuar shkelja e një televizioni për përmbajtje dhe gjuhë jo-etike në një emision të transmetuar në prime time.

Ndaj, AMA ka marrë vendimin për tërheqje vëmendje për të katër televizionet.

“Sa i takon kërkesave ligjore për reklamat dhe komunikimet tregtare, ligji është i qartë”, ka theksuar kryetarja e AMA-s.

Sipas saj, lajmet dhe programet informative që lidhen me politikën nuk mund të sponsorizohen.

“Gjithashtu komunikimet me natyrë tregtare të fshehura janë të ndaluara me ligj. Transmetime të tilla janë edhe në shkelje të plotë të Kodit të Transmetimit”, ka shtuar ajo.

Sakaq, për shkelje për përdorim të gjuhës e veshjeve jo-etike dhe jo të përshtatshme për orarin në të cilin është transmetuar, është gjetur edhe në një tjetër emision televiziv i javës së kaluar.

“Për raste të tilla që mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, mendor dhe moral të fëmijëve, ligji dhe Kodi i Transmetimit është qartë dhe i rreptë. Të tilla shkelje mund të evitohen duke zgjedhur orarin e duhur të transmetimit ose ndonjë masë tjetër teknike, që fëmijët normalisht nuk i shikojnë ose dëgjojnë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas saj, kur programe të tilla transmetohen në formë të hapur ato duhet të paraprihen nga një paralajmërim akustik ose të identifikohen nga prezenca e një simboli viziv gjatë gjithë kohëzgjatjes së tyre.

Gjithashtu ajo ka paralajmëruar që në rastet e përsëritjeve do të fillohet procedimi sipas legjislacionit në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore