Shqipëria

AMA paralajmëron 10 televizione për shkelje të Kodit të Transmetimit


Me propozim të Këshillit të Ankesave, vetëm për muajin tetor, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka miratuar pesë masa “Tërheqje vëmendjeje”, për pesë televizione.

Sa i përket shkeljeve të konstatuara, ato përfshijnë përdorimin e gjuhës seksise dhe mizogjene, transmetimin e skenave që mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, mendor dhe moral të të miturve dhe shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë.

AMA, në muajin korrik të këtij viti, miratoi Kodin e ri të Transmetimit që përmban 11 Seksione, kundrejt tetë që përmbante Kodi paraardhës.

Në të janë shtuar seksionet e luftës kundër diskriminimit, promovimi i barazisë gjinore, parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes në transmetimet audiovizive, ndërkohë që janë përpunuar dhe zgjeruar në masën 60% të gjitha seksionet e tjera.

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, ka thënë se numri i ankesave nga individë, grupe individësh apo shoqata pranë Këshillit të Ankesave ka ardhur duke u rritur sidomos dy vitet e fundit.

Gjatë vitit 2022, ky Këshill ka administruar mbi 300 ankesa.

Kurse gjatë vitit 2023, deri në tetor, ka pasur më shumë se 330 të tilla. Kryesisht ankesat kanë të bëjnë me gjuhën seksiste të përdorur në transmetimet televizive dhe për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të fëmijëve nga televizionet dhe radiot.

Po ashtu edhe monitorimi i përmbajtjeve të transmetuara nga televizionet gjatë muajit tetor, ka përfunduar me pesë masa të tjera, “Tërheqje Vëmendjeje”, për pesë televizione me shtrirje kombëtare.

Shkeljet e konstatuara nga ekipi i Monitorimit dhe Analizës në AMA kanë të bëjnë me transmetimin e komunikimeve tregtare dhe reklamave në edicionet informative, të ndaluara qartësisht nga ligji.

Duke qenë se, gjatë procesit të monitorimit, pesë televizione janë gjetur në shkelje të neneve që përcaktojnë se “komunikimet me natyrë tregtare të fshehura janë të ndaluara”, AMA ka marrë masën “Tërheqje vëmendje” me paralajmërimin se, në raste të përsëritura, do të vijohet me procedimin administrativ, sipas legjislacionit në fuqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

  • AMA

  • Lajmet kryesore