Lajme

Aleanca Shqiptare do të jetë pjesë e Qeverisë së Malit të Zi, konfirmon Nimanbegu


Genci Nimanbegu

Genci Nimanbegu, kryetari i Forcës së Re Demokratike (FORCA) dhe deputeti nga radhët e koalicionit Aleanca Shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi, ka konfirmuar të martën për portalin malazez “Dan” se do të jetë pjesë e Qeverisë së re të Malit të Zi, nën krye të së cilës pritet të vendoset Milojko Spajiç nga lëvizja centriste Evropa Tani.

Në legjilsativin malazez kanë fituar ulëse plot 6 shqiptarë: Dritan Abazoviç nga URA, Nik Gjeloshaj dhe Nikollë Camaj nga koalicioni Forumi Shqiptar, Genci Nimanbegu nga koalicioni Aleanca Shqiptare dhe Drita Llolla e Mehmed Zenka nga Unioni Demokratik Shqiptar që garuan nën flamurin e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS).

Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç i kishte nisur konsultimet me partitë malazeze më 31 korrik, ndërsa me liderët e partive shqiptare atje ishte takuar më 7 gusht. Ai e kishte nominuar fituesin e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit mandatar për formimin e qeverisë së re më 10 gusht.

Edhe kryetari i Alternativës Shqiptare dhe deputeti nga radhët e kolaicionit Forumi Shqiptar, Nik Gjeloshaj, ka pranuar që të jetë pjesë e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi, duke marrë përgjegjësinë e zëvendëskryeministrit për investime kapitale dhe ministrit të Administratës Publike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian presin që ekzekutivi i ri malazez të shpallë të mbyllur çështjen e (ç)njohjes së Kosovës, anëtarësimin e Malit të Zi në bllokun ushtarak të NATO-s dhe sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Rusisë për agresionin në Ukrainë.

Mali i Zi është zhvilluar si një demokraci relativisht e qëndrueshme shumë-etnike deri në momentin kur në pushtet erdhën forcat pro-serbe dhe pro-ruse. Mali i Zi është vendi i vetëm nga pesë shtetet post-jugosllave (plus Shqipëria) që i ka hapur dhe mbyllur disa kapituj të anëtarësimit në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore