Shqipëria

Aleanca për Teatrin, tjetër padi në SPAK


Aleanca për Teatrin ka depozituar një tjetër padi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Bëhet fjalë për çështjen për Teatrin, për të cilën avokatja Adriana Kalaja ka kërkuar të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e punimeve.

“Kërkuam marrjen e masës së pezullimit për VKM dhe ligjin special. Kërkesa jonë ishte legjitime. Presim që SPAK-u të marrë hapin e duhur, duke vendosur sekuestro mbi truallin”, tha Kalaja në një deklaratë për mediat.

Sipas saj, nuk ka pasur asnjë reagim nga SPAK-u në lidhje me një takim që Aleanca ka kërkuar për të marrë informacion të detajuar se ku ndodhet procedura për hetimin e dosjes së Teatrit.

“Fakti që vijmë dhe trokasim sërish në këto dyer, tregon se kemi besim që çështja e Teatrit do të zgjidhet”, finalizoi fjalën e saj avokatja.

Më herët Aleanca për Teatrin ka dorëzuar pranë SPAK-ut një kallëzim penal kundër ministres së Kulturës, Elva Margariti, për shpërdorim detyre.

Po ashtu, kjo Aleancë nuk ka kursyer as ambasadoren e SHBA-ve, Yuri Kim, duke e quajtur palë me krimin dhe atyre që shkelin ligjet.

Sa i përket ministres, ata janë shprehur se “kishte marrë urdhër nga shefi i saj që të mbylleshin dyert kryesore”.

Aleanca kërkoi ndjekje penale edhe për katër policët “për sjelljen e tyre në shkelje të etikës, në mënyrën e dhunshme ndaj artistëve dhe qytetarëve që shkuan thjesht për të depozituar një kërkesë në Ministrinë e Kulturës”.

Përfaqësuesit e Aleancës për Teatrin akuzojnë se nuk janë lejuar që të futen në ambientet e Ministrisë së Kulturës për të bërë depozitimin e kërkesës dhe se asnjë punonjës nuk doli që t’i priste.

Situata e tensionuar zgjati disa minuta. Më pas, përfaqësuesve të Aleancës ju premtua se do të dilte një punonjës nga ministria për të marrë kërkesën e tyre.

Kushtetuesja shfuqizon – përfundimisht – ligjin për Teatrin

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur plotësisht vendimin për çështjen e Teatrit Kombëtar, të premten e 16 korrikut, duke shfuqizuar përfundimisht ligjin special për Teatrin dhe duke pezulluar ndërtimin e godinës së Teatrit të ri.

Përkatësisht, bëhet fjalë për ligjin numër 37/2018, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës” me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Arsyetimi mbi këtë pikë është papajtueshmëria që ligji shfaq me Kushtetutën e Republikës.

Kjo pikë e parë, është rrjedhojë e shfuqizimit të kalimit të pronësisë në emër të Bashkisë së Tiranës nga Ministria e Kulturës.

Nëpërmjet shfuqizimit të vendimit numër 377, datë 08.05.2020, të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, Kushtetuesja rrëzon të dyja pikat.

Arsyetimi mbi kalimin e pronësisë është po i njëjtë. Papajtueshmëri me Kushtetutën e Shqipërisë.

Pavarësisht këtij vendimi, shembja e Teatrit mbetet e ligjshme nga ana e Bashkisë. Pra, nuk ka shkelje në këtë pjesë të “sagës” së godinës kulturore.

Kjo pikë është e bazuar në ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar. Kërkesa në këtë rast ka qenë e papajtueshme me Kushtetutën.
Vendimi i pjesshëm ishte bërë me dije edhe më parë nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Asnjë ndryshim nuk ka në këtë vendim përfundimtar.

Prej çastit të botimit në Fletoren Zyrtare, nuk ka më kthim prapa të këtij vendimi, pasi bëhet i formës së prerë.

Historiku i çështjes së Teatrit

Orët e para të 17 majit të vitit 2020, do ta gjenin gjithë Shqipërinë, por veçanërisht kryeqytetin, përballë lajmit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Ngjarja menjëherë krijoi një dyzim në opinionin publik dhe mbi të gjitha, nisi një zanafillë konfliktesh midis disa palëve.

Prej thuajse dy vjetësh, disa aktorë të Teatrit, por edhe aktivistë, i kishin dalë kundër propozimit fillimisht dhe më pas vendimit të Qeverisë, për të prishur godinën. Kjo, sepse sipas tyre, Teatri ishte pjesë e trashëgimisë kulturore dhe nuk mund të prekej.

Nëntë ditë përpara prishjes, më 8 maj 2020, Teatri Kombëtar i kaloi përfundimisht Bashkisë së Tiranës në pronësi. Ishte pikërisht ky vendim, ai i cili i hapi rrugë prishjes së godinës.

Prishja shkaktoi një sërë protestash publike edhe pse vendi gjendej në kohë pandemie. Jo të pakta ishin edhe rastet kur pati konfrontim fizik midis aktivistëve dhe policisë.

Por, ajo që mbetej, ishte një shesh bosh, një plan i ri për teatrin dhe një grupim njerëzish të mbështetur nga presidenti, për të çuar kauzën në Gjykatën Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore