Kosova

Albulena Haxhiu shkarkon tre zyrtarë, por emëron një tjetër mbi bazën e njëjtë ligjore


Sipas burimeve të Albanian Post, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu javë më parë ka emëruar Argjira Asllani si zyrtare në kuadër të Divizionit për koordinimin e procesit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Këtë emërim e ka bërë pas shkarkimit të tre zyrtarëve: Sami Bunjaku, Dhurata Salihi dhe Astrit Gjocaj. Të tre këta zyrtar ishin të emëruar nga ish Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe mandati i tyre në bazë të vendimit ishte dy vjeçar, pra deri në fund të vitit 2022.

Në arsyetimin e vendimeve thuhet se emërimet e tyre janë bërë në kundërshtim me rregulloret e organizimit të brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë. Pra, sipas vendimit, bëhet fjalë për Rregulloren Qrk – Nr. 12/2018 Për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Qrk – Nr. 31/2013 për Organizimin e brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas burimeve të Albanian Post, në këtë departament ishin të angazhuar gjithsejtë shtatë persona si rezultat i volumit të madh të punës, ani pse parashihej që brenda këtij dikasteri të jenë të angazhuar pesë persona.

Kurse pika e arsyetimit të vendimeve të datës 07/04/2021 me Nr.68/2021, 69/2021 dhe 70/2021 përkatësisht me numër të protokollit 01-355, 01-356 dhe 01-357, është bërë duke u thirrur në nenin 24/B- Divizioni për koordinimin e procesit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara i cili thotë:

“Numri i të punësuarave në Divizionin për koordinimin e procesit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara është pesë (5)”.

Albanian Post kishte raportuar se si pasojë e shkarkimeve që kishte bërë ministrja Haxhiu, në këtë dikaster kishin mbetur katër persona, përkundër se rregullorja e njëjtë dhe neni i njëjtë thonë se duhet të jenë të angazhuar 5 persona.

Si rezultat i shkarkimeve që kishte bërë ministrja, ishte krijuar ‘hapësira’ e nevojshme për angazhimin e zonjës Asllani.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë nuk është publikuar vendimi për emërimin e Argjira Asllanit, ndërsa në pyetjet e dërguara nga Albanian Post zyrës për marrëdhënie me publikun të ministrisë, janë përgjigjur se në dikaster janë të angazhuar pesë zyrtarë.

“Ju njoftojmë se aktualisht të angazhuar në divizion janë 5 zyrtarë në përputhje me udhëzimin administrative. Lidhur me mënyrën se si angazhohen zyrtarët në këtë divizion, ju lutem t’i referoheni udhëzimit në fuqi”.

Albanian Post ka kontaktuar me njërin nga të shkarkuarit, Astrit Gjocaj i cili ka thënë se shkarkimi i tij ka qenë mbi bazë politike dhe dyshon se edhe për çështje personale.

“Në raport me mu, jo me të tjerët, përveç politike ka qenë edhe më shumë personale, për shkak të ndoshta disa komenteve që kam mundur me shkëmbye me kunatin [Dardan Krasniqi] e saj [Albulena Haxhiu] më herët, pra kur ka qenë në Qeveri Vetëvendosja”, ka deklaruar ai.

Ai konsideron se shkarkimi i tij ka mund të jetë edhe një qërim hesapesh.

“Ka mujt me qenë edhe hakmarrje, përveç asaj politike që konsiderohet edhe pse unë nuk mbaj ndonjë pozitë në asnjë subjekt politik, por për shkak të familjes ose përkrahjeve të mendimeve të mija publike, jam identifikua si person politik”, ka deklaruar ai.

Ai sa i përket shkarkimeve dhe emërimit të një zyrtari të ri në po të njëjtin dikaster, konsideron se nuk ka bazë ligjore.

“Baza ligjore që është thirr ministrja d.m.th. po e vërteton fakti se s’ka ekzistuar me vet faktin që ka marr punëtore të re. Ndërsa arsye tjetër është arsyetimi në vendim të shkarkimit tonë…që s’ka arsye tjera”.

Tutje Gjocaj ka thënë se nëse kanë ardhur për ndryshim (LVV) dhe nëse kanë ardhur për me ecën punët mirë “atëherë nuk ish dashtë me shikua që veprimin e parë me bë qysh me largu prej pune njerëzit për me shti njerëz të ri në punë, por ishte dashtë me shikua nëse puna po bëhet mirë ose jo”, ka deklaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore