Lajme

Shkarkohen tre zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë


Albulena Haxhiu, ministrja e Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkarkuar tre zyrtarë nga Divizioni për koordinimin e procesit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Tre zyrtarët e shkarkuar janë: Sami Bunjaku, Dhurata Salihi dhe Astrit Gjocaj. Të tre këta zyrtar ishin të emëruar nga ish Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe mandati i tyre në bazë të vendimit ishte dy vjeçar, pra deri në fund të vitit 2022.

Në arsyetimin e vendimeve thuhet se emërimet e tyre janë bërë në kundërshtim me rregulloret e organizimit të brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë. Pra, sipas vendimit, bëhet fjalë për Rregulloren Qrk – Nr. 12/2018 Për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Qrk – Nr. 31/2013 për Organizimin e brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas burimeve të Albanian Post, në këtë departament ishin të angazhuar gjithsejtë shtatë persona si rezultat i volumit të madh të punës, ani pse parashihej që brenda këtij dikasteri të jenë të angazhuar pesë persona.

Kurse pika e arsyetimit të vendimeve të datës 07/04/2021 me Nr.68/2021, 69/2021 dhe 70/2021 përkatësisht me numër të protokollit 01-355, 01-356 dhe 01-357, është bërë duke u thirrur në nenin 24/B- Divizioni për koordinimin e procesit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara i cili thotë:

“Numri i të punësuarave në Divizionin për koordinimin e procesit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara është pesë (5)”.

Si pasojë e këtij vendimi, tanimë në këtë dikaster kanë mbetur katër persona, përkundër se rregullorja e njëjtë dhe neni i njëjtë thonë se duhet të jenë të angazhuar 5 persona.

Mirëpo, kush janë këta tre zyrtarë:

Albanian Post mëson se Sami Bunjaku i shkarkuar me vendimin Nr.68/2021, është nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në qytetin e Kamenicës. Ai ka të kryer.

Dhurata Salihu e shkarkuar me vendimin Nr.69/2021, ishte kandidate për deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2019 me numër 96 në listën AAK-PSD. Ajo ka të përfunduar Shkencat politike pranë ISPE-së dhe Master në Juridik pranë UP-së.

Gjithashtu, Albanian Post mëson se Astrit Gjocaj ka të përfunduara studimet bazike në dy fusha; në jurispodencë dhe në shkenca politike pranë Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet postdiplomike i ka të përfunduara në Administratë Publike në Maqedoni.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore