Lajme

Akuzohet një kosovare për transportimin e gjashtë valixheve me kokainë në Zvicër


Kosovarja e akuzuar për pjesëmarrje në kontrabandë. Kokaina është bartur në Sankt Gallen me valixhe.

Gjykata e Qarkut të qytetit të Zvicrës, Sankt Gallen (Shën Gallen), e ka shpallur fajtore një kosovare 32 vjeçare dhe i ka shqiptuar ​​një dënim me kusht me burg prej dhjetë muajsh me një periudhë prove prej pesë vitesh.

Ajo është akuzuar për transportimin e gjashtë valixheve të kokainës.

“Qytetarja 32-vjeçare e Kosovës kishte takuar një korrier droge në verën e vitit 2015 i cili voziste rregullisht nga Amsterdami në St.Gallen, çdo herë duke sjellë një valixhe në Zvicër që përmbante midis dy dhe pesë kilogramë kokainë. E akuzuara është fajësuar se kishte qenë pjesëmarrëse në të paktën pesë nga këto udhëtime”, shkruan gazeta zvicerane Tagblatt.ch.

Në seancën dëgjimore në këtë gjykatë, prokurori publik ka thënë se ajo e dinte që i dashuri i saj kishte marrë një valixhe me drogë atje.

Sipas kësaj gazete, “ajo ka bërë punën e shoferes për të dashurin, në makinën e saj”.

“Ata kanë kaluar natën në Amsterdam, kanë marrë valixhen e përgatitur me fund të dyfishtë, kanë kaluar Gjermaninë, pastaj kanë përdorur tragetin nga Friedrichshafen për në Romanshorn dhe kanë arritur në St.Gallen”.

Bashkëpunimi ka përfunduar kur të dy janë ndarë në fund të janarit të vitit 2016. Ndërsa akuza vazhdon të theksojë se kosovarja e cila është rritur në Gjermani dhe Zvicër, është takuar në fund të korrikut 2017 me një të njohur “i cili ishte gjithashtu një ndërlidhës droge midis Amsterdamit dhe St.Gallen”.

E akuzuara ishte shtatzënë në atë kohë dhe “kishte probleme financiare. Ajo i kishte kërkuar të njohurit që t’i jepte para hua. Si kundër shpërblim ajo do ta shoqëronte atë në Amsterdam për të marrë një valixhe me kokainë dhe për ta sjellë në Zvicër”.

“Të dy kanë udhëtuar për në Amsterdam dhe kanë qëndruar në një hotel. Në mëngjes herët ata janë marrë nga një afrikan dhe janë dërguar në një stacion treni afër kufirit. Nga atje, të dy kanë marrë trenin përsëri për në St.Gallen me një valixhe që përmbante kokainë në fundin e dyfishtë, të rremë”, shkruan më tutje gazeta Tagblatt.

E akuzuara e ka mohuar të ketë ditur për dërgesat e drogës.

“Përkundër provave mbizotëruese, e akuzuara për fat të keq nuk ka bërë pranimin e veprës, ka thënë prokurori. Ajo tashmë ka pasur një rast penal për shërbimet ndërlidhëse, në Kantonin Vaud. Ajo madje ka lindur fëmijën në kohën sa ishte në burg”.

Prokurori ka kërkuar një dënim për një vepër të kualifikuar kundër Ligjit për Narkotikët. Përveç gjykimit në Vaud në vitin 2018, ajo duhet të dënohej me dhjetë muaj burgim, dhe dëbim nga vendi për pesë vjet.

Por, avokati mbrojtës ka kërkuar pafajësi për klienten e tij. Sipas tij, akuzat e bëra nga prokuroria “nuk përcaktohen me saktësi të mjaftueshme”.

“Kur ajo ka udhëtuar për herë të parë në Amsterdam, ajo vetëm kishte dashur të kalonte një fundjavë të mirë me të dashurin e saj, përcjell albinfo.ch. Arsyeja e udhëtimit të fundit me të njohurin e ri qëndron në problemet e saj personale. Ajo shpresonte që kështu të largohej nga shqetësimet e saj”, kishte thënë avokati mbrojtës i saj.

Sa i përket heqjes dorë nga dëbimi nga vendi, ajo përfiton nga fakti se është nënë e një fëmije që ka një pasaportë zvicerane.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore