Lajme

Aksioni i Policisë, mbi 400 mijë euro dëm i shkaktuar ndaj katër institucioneve financiare


Ilustrim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, lidhur me aksionin e Policisë ku janë ndaluar 10 persona ka bërë të ditur se të njëjtit i kanë shkaktuar dëm mbi 400 mijë euro katër institucioneve financiare.

Prokuroria, përmes një komunikate për media ka thënë se të njëjtit dyshohen për veprat penale “hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 327 dhe “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

“Lidhur me këtë aksion, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar 10 persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale të lartcekura, e në të cilin rast aktualisht janë të dëmtuar katër institucione financiare dhe vlera e dëmit e shkaktuar deri më tani tejkalon shumën prej 400.000€”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërsa, është thënë se nga ky aksion janë sekuestruar prova të ndryshme të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, si dhe dobi pasurore e përfituar nga veprat penale të lartcekura.

Policia e Kosovës në koordinim më Prokurorinë e Shtetit ka njoftuar se pas hetimeve për një periudhë disa mujore, nën dyshimin se disa persona janë përfshirë në veprimtari penale, ka kontrolluar 14 lokacione në Kosovë dhe janë arrestuar 10 veta.

“Gjatë operacionit policor të sotëm janë arrestuar 10 të dyshuar nën dyshimin se janë përfshirë në veprat penale: ‘lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit dhe hyrje në sistemet kompjuterike”, thuhet në njoftim.

Sipas organeve të rendit, të dyshuarit në bashkëveprim me njëri-tjetrin, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, kanë përdorur kartelat bankare pa autorizim duke bërë transaksione, tërheqje të parave nga bankomatët dhe blerje të gjësendeve të ndryshme, me kartela bankare të cilat kanë arritur në forma të ndryshme t’i komprometojnë.

Ndërsa rasti është duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

Policia prangos 10 persona të dyshuar për krime kibernetike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore