Lajme

Policia prangos 10 persona të dyshuar për krime kibernetike


Ilustrim

Policia e Kosovës në koordinim më Prokurorinë e Shtetit ka njoftuar se pas hetimeve për një periudhë disa mujore, nën dyshimin se disa persona janë përfshirë në veprimtari penale, ka kontrolluar 14 lokacione në Kosovë dhe janë arrestuar 10 veta.

“Gjatë operacionit policor të sotëm janë arrestuar 10 të dyshuar nën dyshimin se janë përfshirë në veprat penale: ‘lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit dhe hyrje në sistemet kompjuterike”, thuhet në njoftim.

Sipas organeve të rendit, të dyshuarit në bashkëveprim me njëri-tjetrin, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, kanë përdorur kartelat bankare pa autorizim duke bërë transaksione, tërheqje të parave nga bankomatët dhe blerje të gjësendeve të ndryshme, me kartela bankare të cilat kanë arritur në forma të ndryshme t’i komprometojnë.

“Në këtë rast janë dëmtuar institucionet financiare (bankat) në Kosovë me mijëra euro. Policia ka sekuestruar prova të ndryshme relevante, përfshirë kompjuterë, telefona celularë, USB, kartela bankare, dokumente, si dhe tre armë dhe municion”.

Ndërsa rasti është duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore