Shqipëria

Aksioni i policisë, 14 arrestime në 24 orë për shkelje të kodit rrugor


14 drejtues mjetesh, nga të cilët katër për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 10 për drejtim mjeti pa leje drejtimi, janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit.

Policia rrugore njoftoi ditën e premte zhvillimin e kontrolleve intensive në të gjitha rrugët interurbane dhe qendrat e banuara, për evidentimin e shkelësve të Kodit Rrugor.

Falë denoncimeve të qytetarëve janë ndëshkuar gjithashtu me masë administrative 2234 drejtues mjetesh, sipas njoftimit të policisë.

Njё pjesё e tyre janë konstatuar teksa përdornin celularin gjatë drejtimit të mjetit, tё tjerё duke kryer parakalime të gabuara, disa për mospërdorim të rripit të sigurisë, si dhe shumë të tjerë për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie.

Rastet që nënvizoi policia

Një shtetas me inicialet R. M., drejtonte mjetin tip “Benz” me shpejtësi 109 kilometra në orë. Rasti u konstatua nga Policia Rrugore e Tiranës, në Bulevardin Blu, në Kamzë.

Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, po ashtu evidentoi në rrugën urbane Fier-Vlorë, shtetasin A. H., nga Vlora, duke drejtuar mjetin tip “BMW” me shpejtësinë vdekjeprurëse të 189 kilometrave në orë.

Në zonën e Yzberishtit, në qytetin e Tiranës banorët telefonuan të shqetësuar duke treguar se një shtetas po zhvillonte me një automjet manovra të rrezikshme në rrugë. 33-vjeçari me inicialet D.M. u arrestua më tej nga shërbimet e policisë, në gjendje të dehur.

Një telefonatë tjetër erdhi për një 20-vjeçar, në rrugën e Rinasit i cili po ashtu duke ecur në sensin e kundërt kryente stile të rrezikshme.

Ndërsa, në qarkun e Fierit një drejtues motoçiklete 53-vjeçar, u arrestua pasi po i jepte mjetit në mënyrë të shkujdesur. Edhe në këtë rast personi ishte i dehur dhe denoncimi u krye po ashtu nga banorët në vendgjarje.

Policia e Shtetit dhe strukturat vendore të Policisë planifikoi gjithashtu marrjen e masave shtesë gjatë sezonit turistik për kufizimet e qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave, në ditët e pushimeve javore dhe festave zyrtare.

Në kuadër të kësaj, mbrëmjen e së premtes u ndëshkuan me masë administrative drejtuesit e 56 kamionëve, me masë administrative 3 mijë lekë secili.

Policia Rrugore filloi zbatimin e detyrimeve për kufizimin e lëvizjes së këtyre automjeteve duke filluar nga data 15 qershor 2021 deri në 15 shtator 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore