Kosova

Aksioni i anti-drogë në Dukagjin – shkatërrohen 180 bimë narkotike, të gjata 2 deri 4 metra


Ilustrim

Shtatë persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës në zonën e Dukagjinit, pasi një aksion anti-drogë ku janë shkatërruar 180 bimë kanabis sativa dhe është konfiskuar një sasi e madhe drogës.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, prokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Ersan Qavolli.

“Për momentin jemi në fazën e përfundimit të aksionit, deri tani janë shkatërruar 180 bimë të llojit kanibis sativa, të gjata 2 deri në 4 metra”, thotë Qavolli.

Po ashtu ai ka treguar se janë sekuestuar rreth 400 gramë të llojit kokainë si dhe substancë e dyshuar e llojit mariuhanë.

“Janë kontrolluar dhe bastisur 10 lokacione”, ka treguar ai, teksa janë sekuestruar edhe prova të ndryshme materiale.

Marihuana e kokaina janë dy substanca narkotike që kanë shënuar rritje të përdorimit tek të rinjtë këtë vit.

Mosha e përdoruesve të substancave narkotike është shqetësuese, sipas institucioneve të Kosovës.

Doktoresha e Klinikës së Psikiatrisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Vjollca Ramiqi, në një përgjigje për Albanian Post pati treguar se gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, në këtë klinikë, konkretisht në repartin e Sëmundjeve të Varësisë, janë bërë 89 hospitalizime, 21 me substanca të ndryshme psiko aktive dhe 18 me opiodie (heroinë) dhe 14 me alkool.

Sipas, Ramiqit, numri më i madh i kërkesave ka qenë në mënyrë ambulatore ku për shkak të mungesës së regjistrimit elektronik nuk kanë statistika për këtë.

Doktoresha e Klinikës së Psikiatrisë pranë Qendrës Klinike Universitare (QKUK), Vjollca Ramiqi

“Mosha më e prekur adulteri e hershme (18 vjeç), ndërsa në ambulancë specialistike mosha adoleshente 13 vjeç. Pasi në repartin e Sëmundjeve të Varësisë hospitalizohen vetëm rastet që vijnë me motivim personal për t’u trajtuar, arsyeja më shumicën e rasteve janë dëmtimi i funksioneve kognitive, me çrregullim të funksionimit të psiko-fiziko-social”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore