Shqipëria

Aksidentoi një çift dhe fëmijën e tyre të vogël, autori ishte nën efektin e lëndëve narkotike


Policia e Shtetit ka vënë në pranga 39-vjeçarin me iniciale A. S., i cili u bë shkaktar i një aksidenti gjatë orëve të mesditës në Tiranë.

Pas kryerjes së testit të drogës, ka rezultuar se autori e drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Automjet i tij me targa të huaja aksidentoi një çift dhe fëmijën e tyre të vogël.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën e Kavajës, ku mendohet se drejtuesi i mjetit e ka kaluar rrugën nën regjimin e semaforit të kuq.

Pasi ka aksidentuar tre personat, ai është larguar nga mjeti duke e braktisur në vendngjarje dhe është arratisur.

“Pas një pune intensive hetimore, u bë i mundur lokalizimi i shtetasit A. S., në një spital privat, dhe më pas shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe arrestimi i tij”, shkruhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Autori që shkaktoi aksidentin me këmbësorët, në Rrugën e Kavajës, është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.

Shkeljet variojnë nga ato të sinjalizimit rrugor, semafori deri te mospërdorim i rripit të sigurimit.

Ky shtetas, vëren njoftimi i policisë, është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit.

A. S. ishte shoqëruar tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim.

Sipas burimeve të para të Policisë, drejtuesi i mjetit e drejtonte atë pa një leje drejtimi, pasi i ishte pezulluar tre javë më parë.

A.K., 48 vjeç, V.K., 43 vjeçe dhe foshnja tre muajshe, ndodhen të tre në spital ku po marrin trajtimin përkatës.

Gruaja 43-vjeçare deri në këto çaste është në gjendje më të rënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore