Shqipëria

Aksident në Shkodër, vdesin dy turistë polakë (Video)


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 11:30 të premten e 6 majit në Shkodër, ku si pasojë e një aksidenti kanë gjetur vdekjen dy turistë.

Burime për Albanian Post bëjnë me dije se turistët, çift polak, kanë qenë duke udhëtuar bashkë me motor në momentin kur janë përplasur me një makinë tip Golf 5.

Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë drejtuesi i motomjetit, shtetasi W. M., 45 vjeç dhe pasagjerja në motomjet, shtetasja M. M., 42 vjeçe.

Të njëjtat burime thanë se drejtuesi i automjetit u ka prerë rrugën turistëve, të cilët pas përplasjes kanë humbur kontrollin e mjetit të tyre.

Mësohet se policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, shtetasin D. Gj., 27 vjeç, në komisariat për ta marrë në pyetje, ndërsa trupat e të pajetëve janë dërguar në morg.

Në pamjet filmike të siguruara nga Albanian Post, paraqitet makina e dëmtuar dhe reagimi i shoferit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore