Pajisje

Ai-Da, roboti artist që shkruan poezi


Çka njerëzit nuk lidhin zakonisht me inteligjencën artificiale është arti dhe në veçanti, poezia.

Mirëpo, Ai-Da, një robot realist i shpikur nga Aidan Meller në Oxford, e kalon kohën duke krijuar.

Ai-Da është artistja e parë në botë ultra-realiste e robotëve humanoidë dhe të premten e 26 nëntorit ka dhënë një performancë publike të poezisë që ka shkruar vetë.

Poezinë, roboti e ka shkruar duke përdorur algoritmet e veta në nder të poetit të madh italian, Dante Alighieri.

Agjencia e lajmeve, “CNN”, tregon se recitali u mbajt në muzeun e njohur Ashmolean të Universitetit të Oxford-it si pjesë e një ekspozite që shënon 700 vjetorin e vdekjes së Dante-s.

Kurse poezia u krijua si një përgjigje ndaj epikes së poetit “Komedia Hyjnore”, të cilën Ai-Da e ‘përpiu’, duke e lejuar atë të përdorte më pas algoritmet për frymëzim.

Kjo përmes mësimit të modeleve të të folurit të Dante-s dhe duke përdorur bankën e saj të të dhënave e fjalëve për të krijuar poezinë e saj.

Ndërkaq, Meller e ka përshkruar krijimin e robotit Ai-Da si “thellësisht emocionues”.

Ai ka zbuluar se aftësia e robotit për të imituar shkrimin njerëzor është “aq e madhe sa po ta lexonit nuk do ta dinit se poezia nuk ishte shkruar nga një njeri”.

Për “CNN”, shpikësi ka treguar se kur Ai-Da po lexonte poezinë e saj mbrëmjen e së premtes, “ishte e lehtë të harroje se nuk ke të bësh me një qenie njerëzore”.

Megjithatë, krijimi i robotit shkon edhe më tej.

“Projekti Ai-Da u zhvillua për të trajtuar debatin mbi etikën e zhvillimit të mëtejshëm të inteligjencës artificiale për të imituar njerëzit dhe sjelljen njerëzore”, ka rrëfyer Meller.

Ai ka vijuar se “po shohim të gjithë se teknologjia ka një ndikim të madh në të gjitha aspektet e jetës dhe po kërkojmë të kuptojmë se sa shumë mund të bëjë kjo teknologji dhe çfarë mund të na mësojë për veten tonë”.

Madje, roboti u ka mësuar atyre që punuan për krijimin e tij diçka ndryshe nga çfarë mund të mendohet.

“Projekti nuk na ka mësuar se sa njerëzore është Ai-Da, por na ka treguar se sa robotikë jemi ne si njerëz”, ka theksuar Meller për “CNN”.

“Nëpërmjet robotit Ai-Da dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, mund të mësojmë më shumë për veten. Ai-Da na lejon të fitojmë një pasqyrë të re për zakonet tona”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, Meller është gjithashtu i vetëdijshëm për shqetësimet mbi zhvillimin gjithnjë e më të avancuar të inteligjencës artificiale dhe potencialin për përdorimin e algoritmeve për të manipuluar popullatat.

Mirëpo, për të, “teknologjia në vetvete është e mirë, janë njerëzit që e kontrollojnë atë, qëllimet e të cilëve mund të jenë moralisht të diskutueshme”.

Sipas Meller, “frika më e madhe që duhet të kemi duhet të jetë nga vetja dhe aftësia njerëzore për të përdorur teknologjinë në mënyrë jo-etike, jo nga vetë inteligjenca artificiale”.

Meller beson se Ai-Da mund të jetë një pioniere në botën e inteligjencës artificiale.

Çka roboti krijon, mund të shtyjë kufijtë e asaj që mund të arrihet në teknologji dhe “do të na lejojë të mësojmë më shumë se kurrë më parë për veten tonë, përmes syve të një roboti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore