Lajme

Agjencitë e punës në Filipine mashtrojnë gratë me tarifa të paligjshme


Agjencitë e punësimit dhe kompanitë huadhënëse në Filipine po mashtrojnë gratë që aplikojnë për punë jashtë vendit me mijëra paund.

Intervistat me qindra gra dhe mijëra faqe ankesash të përpiluara nga një organizatë për të drejtat e emigrantëve treguan se agjencitë e punës u ngarkuan aplikantëve tarifa trajnimi dhe mjekësore që janë mbi kufirin e lejuar ligjërisht.

Rekrutuesit i çojnë aplikantët, zakonisht gra që kërkojnë punë, në firmat financiare me të cilat kanë lidhje për të marrë kredi për të paguar tarifat, të cilat vijnë me norma interesi që shpesh tejkalojnë 130 për qind, sipas ankesave të dokumentuara.

Referuar ligjit të Filipineve, huadhënësit nuk lejohen të ngarkojnë punëtorët jashtë shtetit më shumë se 8 për qind interes vjetor.

Agjencitë e rekrutimit u ndalohet të paguajnë tarifa për punësim jashtë shtetit, por punëtorët emigrantë mund të tarifohen për trajnime dhe ekzaminime mjekësore.

Shuma që ata mund të ngarkojnë është e kufizuar në 71 paund.

Disa punëtorë që aplikuan për punë në Hong Kong dhe Tajvan i thanë organizatës për të drejtat e emigrantëve ICIJ se ata dhe familjet e tyre ishin nënshtruar kërcënimeve dhe ngacmimeve nga huadhënësit kur nuk mund të përmbushnin pagesat.

Rreth 18 për qind e popullsisë së Filipineve jetojnë nën kufirin e varfërisë, duke bërë që miliona filipinas të largohen nga vendi çdo vit në kërkim të punësimit dhe pagave më të larta.

Merry Criz Renayong, një nënë beqare 35-vjeçare e dy fëmijëve, ka treguar se i ishte thënë nga agjencia e rekrutimit Rapid Manpower Consultants se asaj i duhej të paguante 1 mijë e 200 dollarë në tarifat mjekësore kur ajo aplikoi për një punë në Hong Kong në vitin 2019.

Kur ajo u tha se nuk kishte mundësi të paguante tarifat, u dërgua në zyrat e afërta të Hoya Lending Investor Corporation, ku nënshkroi një marrëveshje kredie.

“Nuk më lejuan të bëja një foto të kontratës”, ka treguar ajo.

Pasi nënshkroi, i thanë se norma e interesit do të ishte 4 për qind, por pasi kishte filluar punën e saj të re mësoi se do t’i duhej të paguante më shumë se 60 për qind të pagës së saj mujore.

Sakaq, organizata thotë se i ka dokumentet që tregojnë se Hoya kishte një normë mesatare interesi prej 143 për qind për kreditë e saj.

Pasi ajo ra dakord për kredinë, Renayong ka treguar se stafi i Hoya e çoi atë në një bankë në ndërtesën e saj për të krijuar një llogari.

Atje duhej të firmoste një çek bosh dhe iu tha se do të arkëtohej për të gjithë shumën që i detyrohej nëse i mungonte një shlyerje.

Por sipas ligjit të Filipineve, kthimi i çekut është një krim që mund të dënohet me burg.

Renayong ka treguar se ndihej e detyruar të merrte kredinë dhe po bënte atë që Hoya dhe Rapid i thoshin të bënte.

Pas tre muajsh, ajo u pushua nga puna.

Ajo nuk mund të përballonte tarifat dhe nuk kishte asnjë mënyrë për të vazhduar pagesat e saj për Hoya.

Dhe kompania filloi t’i dërgonte mesazhe kërcënuese.

“Kam shumë frikë nga ai çek bosh, sepse ndoshta një ditë do të më arrestojnë për shkak të kësaj. Kam shumë frikë se mund të shkoj në burg”.

Ndërkohë, organizata ka paraqitur ankesa për trajtimin e grave në 10 departamente qeveritare të Filipineve, duke përfshirë Komisionin e Letrave me Vlerë (SEC) dhe Komisionin Presidencial Kundër Korrupsionit, në vitin 2020 dhe 2021.

Ankesat përmendën 12 firma të licencuara kredie që operojnë në Filipine.

Por autoritetet ende nuk kanë vepruar.

“Ne besojmë se këto tarifa dhe skema janë një problem i madh që prek qindra mijëra gra çdo vit”, ka thënë një zëdhënës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore