Lajme

Agjencia Evropiane e Hapësirës pezullon misionin për në Mars me Rusinë


Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) njoftoi të enjten se ka pezulluar misionin ruso-evropian për në planetin Mars për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Ne shprehim keqardhje për viktimat dhe të lënduarit e kësaj tragjedie të rëndë. Duke njohur rëndësinë në eksplorimin shkencor të hapësirave ESA është në të njëjtën linjë me sanksionet ndaj Rusisë të vendosura nga shtetet anëtare”.

Në një deklaratë të publikuar pas takimit të Agjencisë në Paris, këshilli i ESA-s “pranoi pamundësinë aktuale të kryerjes së bashkëpunimit me Roscosmos (agjencia hapësinore e Rusisë) në misionin e roverit ‘ExoMars’, e cila planifikohej të nisej në vitin 2022 dhe mandatoi Drejtorinë e Përgjithshme të ESA-s që të ndërmarrë hapat e duhura për të pezulluar aktivitetet e bashkëpunimit”.

Edhe pas pezullimit të misionit në Mars, ESA njoftoi se programi i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor “vazhdon të funksionojë normalisht. Kryesorja është ajo e operacioneve të sigurta të Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar (ISS), duke përfshirë edhe çështjet e sigurisë së ekuipazhit”.

Aktualisht gjenden katër astronautë të NASA-s, dy kozmonautë rusë dhe një astronaut evropian që jetojnë dhe punojnë në bordin e Stacionit orbital.

Në dritën e situatës në Ukrainë, drejtori i përgjithshëm i agjencisë do të thërrasë një sesion të jashtëzakonshëm të këshillit qeverisës të ESA në javët e ardhshme “për të paraqitur propozime specifike për vendim nga Shtetet Anëtare”, shkruhet në fund të deklaratës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore