Lajme

Afrikë e Jugut: Shuhet ikona anti-aparteid – Desmond Tutu


Kryepeshkopi Desmond Tutu, laureat i Çmimit Nobel për Paqe dhe veteran i luftës së Afrikës së Jugut kundër sundimit të pakicës së bardhë, ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare.

Njoftimi i këtij lajmi të trishtë erdhi nga presidenti i i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

“Vdekja e Kryepeshkopit Emeritus Desmond Tutu është një tjetër kapitull zie në përcjelljen e kombit tonë ndaj një brezi të shquar të Afrikës së Jugut që trashëguan dhe lanë pas një shtet të çliruar”, theksoi Ramaphosa.

Desmond Tutu ishte një nga aktivistët më të njohur të të drejtave të njeriut në Afrikën e Jugut.

Ai rrëmbeu Çmimin Nobel të Paqes në vitin 1984 për përpjekjet e tij në zgjidhjen dhe përfundimin e aparteidit (ndarje në gjuhën vendase).

I lindur në vitin 1931 në Klerksdorp, Transvaal të Afrikës së Jugut, ai u bë Kryepeshkopi i parë anglikan i zi në Cape Town dhe Johannesburg.

Tutu njihej si zëri i njerëzve me ngjyrë të Afrikës së Jugut që nuk ishin të përfaqësuar.

Nobelisti afrikan gjithashtu mbështeti bojkotin ekonomik të Afrikës së Jugut, duke inkurajuar vazhdimisht pajtimin midis fraksioneve të ndryshme të lidhura me aparteidin.

Kur Nelson Mandela u zgjodh si presidenti i parë me ngjyrë i vendit – Tutu u emërua si kryetar i Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit.

Në punën e tij për të drejtat e njeriut, Tutu formuloi objektivin e tij si “një shoqëri demokratike dhe të drejtë pa ndarje racore”.

Ai parashtroi kërkesa për përmbushjen e saj, duke përfshirë të drejta të barabarta civile për të gjithë, një sistem të përbashkët arsimimi dhe ndërprerjen e dëbimit të detyruar.

Përveç çmimit Nobel, Tutu është nderuar me çmime të shumta, duke përfshirë çmimin Pacem in Terris, Çmimin e Shërbimit Humanitar të Shquar të Peshkopit John T. Walker, Çmimin e Lidershipit Lincoln dhe Çmimin e Paqes Gandhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore