Lajme

Afganët dinë pak për vrasjen e liderit të Al-Qaeda-s nga SHBA-të


Për shumë afganë, lajmi për vrasjen e shefit të Al-Qaeda-s, Ayman al-Zawahiri, ishte një surprizë e plotë.

Njoftimi nga SHBA-të për një sulm “preciz” me dron që vrau liderin 71-vjeçar qarkulloi në Kabul në orët e para të së martës së 2 gushtit.

Më tej, detaje të tjera nisën të zbuloheshin.

Në shenjë të frikës në rritje për lirinë e fjalës nën një qeveri talebane, shumë banorë të qytetit janë dukur hezitues për të folur për vrasjen e tij.

Mohammad Jamal drejton një karrocë rruge jo shumë larg shtëpisë në zonën Sherpur të Kabulit ku thuhet se qëndronte Zawahiri dhe familja e tij.

Ai ka treguar se nuk dinte shumë për vrasjen e tij të supozuar.

“Si ta di se kush është ai? As nuk e di se si duket ai”, ka treguar tregtari.

Ashtu si banorët e tjerë, Jamal ka treguar se fokusi i tij kryesor është ekonomia e vendit, e cila ka qenë duke luftuar nën peshën e sanksioneve perëndimore dhe reduktimeve të ndihmës që kur talebanët u kthyen në pushtet një vit më parë.

Por edhe ata q mund të dinë pak për al-Zawahiri, kanë frikë të flasin.

“Kjo nuk është republika ku njerëzit mund të protestojnë pas çdo sulmi. Askush nuk dëshiron të flasë për këto gjëra në këto kushte”, ka thënë ai.

Sakaq, organizatat ndërkombëtare dhe grupet në mbrojtje të të drejtave kanë akuzuar qeverinë talebane për shtypje të fjalës së lirë që kur ata morën pushtetin.

Gazetarët në Kabul kanë treguar se rrugët që të çonin në shtëpinë ku u vra al-Zawahiri ishin të bllokuara dhe se iu ishte kërkuar të ktheheshin kur përpiqeshin t’i afroheshin vendbanimit të supozuar.

Kurse në internet, afganët jashtë vendit kanë qenë më të gatshëm të flisnin lirshëm për liderin e dytë të Al-Qaeda-s.

Sherpur, lagjja ku ndodhej shtëpia e al-Zawahirit, ka pasur prej kohësh një reputacion të diskutueshëm në mesin e banorëve të Kabulit.

Gjatë viteve të qeverisjes së mbështetur nga Perëndimi, ajo njihej si zona ku jetonin të fortët, ministra, guvernatorë dhe ligjvënës të ish-qeverisë.

Shumica e këtyre zyrtarëve u larguan kur talebanët hynë në Kabul vitin e kaluar, me zyrtarët dhe anëtarët e grupit që thuhet se kishin banuar në shumë prej të njëjtave shtëpi dhe komplekse.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore