Lajme

Abuzim fizik dhe seksual “sistematik” në industrinë franceze të pornografisë


Në Francë, abuzimi seksual dhe fizik në industrinë e pornografisë është “sistemik”.

Ndaj ligjvënësit duhet të rregullojnë më mirë prodhimin e videove dhe të mbrojnë fëmijët që janë “shumë të ekspozuar” nga përmbajtjet.

Në këto dy përfundime ka dalë një raport i fundit i senatit francez.

Nën titullin “Ferri në prapaskenë”, raporti është i pari i përgatitur që parlamenti francez të fokusohet në industrinë e pornografisë, të cilën autorët e kanë përshkruar si grabitqare.

Gjatë gjashtë muajve të hulumtimit, delegacioni i senatit për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore dëgjoi më shumë se 50 njerëz të përfshirë në industri, aktiviste të të drejtave të grave dhe viktima të supozuara.

“Si vëllimi aktual i përmbajtjeve pornografike të aksesueshme për të gjithë, ashtu edhe vetë natyra e tyre kanë kontribuar që aktet seksuale të dhunshme ndaj grave të bëhen banale”, kanë treguar autorët.

Sipas tyre, abuzimet seksuale, fizike dhe verbale janë të përhapura në pornografi, duke i bërë ato sistematike. “Ato nuk janë të simuluara, por shumë reale për gratë që filmohen”.

Një hetim i policisë franceze për përdhunimin e dyshuar, trafikimin e qenieve njerëzore dhe tutorët në industrinë e pornografisë ka tërhequr vëmendjen ndaj abuzimit.

Dhjetëra viktima të supozuara janë paraqitur në dy raste të veçanta të lidhura me një platformë të madhe video dhe me faqen kryesore pornografike amatore të Francës.

Sakaq, raporti ka paralajmëruar qeverinë dhe publikun francez për shkallën e madhe të problemit.

Autorët kanë vënë re shikimin “masiv dhe toksik” të pornografisë nga fëmijët, pavarësisht ligjit francez që kërkon që shikuesit të jenë të paktën 18 vjeç.

“Duhet të ndalojmë të kemi një pamje të vjetër, të shtrembëruar, të zbehtë të pornografisë. Pornografia sot përfshin përmbajtje të dhunshme, poshtëruese”, ka thënë një nga autoret, Annick Billon.

Sipas saj, skenat në të cilat një burrë, më shpesh disa burra, deri në 50 vjeç, ushtojnë abuzim fizik dhe seksual ndaj grave janë bërë standarde.

Prandaj dhe Billon bashkë me anëtarët e tjerë të delegacionit kanë dhënë 23 rekomandime për zbatimin e ligjeve aktuale dhe futjen e rregulloreve të reja.

Në to përfshihet edhe cilësimi si vepër penale e nxitjes së kryerjes së një përdhunimi në kontekstin e industrisë së pornografisë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore