Shqipëria

Abetarja e unifikuar, arritje e gjithë kombit shqiptar


Në vigjilje të fillimit të ri arsimor në Shqipëri, i cili nis zyrtarisht më 12 shtator, është mbajtur edhe një ceremoni inauguruese e Abetares së unifikuar të gjuhës shqipe, si një punë e realizuar nga ministritë e Arsimit në Shqipëri dhe Kosovë, pas propozimit të ardhur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë mbledhjes së dy qeverive në nëntor 2021, në Elbasan.

Kështu, brenda pak muajsh, është arritur të botohet Abetarja e unifikuar dhe t’i vihet nxënësve në përdorim, këtë vit të ri shkollor.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Evis Kushi, e ka cilësuar këtë çast si një arritje e gjithë kombit, duke theksuar se interes të shtuar ka pasur edhe nga pala maqedonase, ku një pjesë e madhe e popullsisë është shqiptare dhe gjuha shqipe është kthyer në zyrtare në vendin fqinj.

“Ky moment është edhe fillimi i një faze të re për të forcuar gjuhën shqipe, falë marrëveshjeve të përbashkëta kemi realizuar shumë punë të mira”, theksoi Kushi gjatë fjalës së saj, duke i uruar sukses nxënësve, të cilët fillojnë ditën e nesërme shkollën për herë të parë.

Si një çast shumë të veçantë, por edhe sfidë më vete me kohën, e ka emërtuar themelin për të ndërmarrë rrugën drejt krijimit të Abetares së përbashkët, kryeministri Rama.

Një aspekt me rëndësi shumë të lartë ndërkaq, mbetet fakti se edhe Maqedonia e Veriut, do ta adaptojë këtë model të Abetares unike, për nxënësit që mësojnë shqipen si gjuhë amtare.

Përmasat do të zgjerohen edhe përtej perimetrit rajonal, pasi me risitë që libri i ri sjell, edhe në skajet më të largëta të globit, fëmijët shqiptarë do ta kenë të mundur të përvetësojnë gjuhën shqipe, e cila në vetvete, sipas Ramës, rrezikohet tej mase, për shkak të globalizimit dhe një përhumbjeje të përgjithshme të interesit ndaj librit.

Vlerësime të larta pë punëne  deri tanishme u shprehën edhe nga ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, si edhe nga homologu i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore