Lajme

Abdixhiku thotë se LDK-ja e dinë “formulën” se si të përballohet kriza energjetike në vend, propozon 10 pika


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një video-adresimi ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për siç e ka quajtur ai, “paaftësinë për të menaxhuar krizën energjetike në vend”.

Sipas tij reduktimet e energjisë që po ndodhin gjatë verës, janë shenjë e një dimri të vështirë.

Mu për këtë arsye, i pari i LDK-së ka propozuar dhjetë pika, të cilët sipas tij do ta zbusin krizën energjetike në vend.

Abdixhiku më tej ka kërkuar që Qeveria t’i marrë parasysh propozimet e LDK-së.

Në planin 10-pikësh të Abdixhikut hyn subvencionimi për familjet, rishikimi i tarifave, heqja e TVSH-së për energjinë elektrike.

“Plani bën fjalë për paketë të re subvencionimi për çdo familje kosovare, ekzekutim të mjeteve të zotuara nga viti paraprak, rishikim të tarifave diskriminuese të tanishme, kontrata afatgjate furnizimi, heqje të TVSH-së në të gjitha faturat e energjisë”.

“Ne i kërkojmë Qeverisë të asistojë familjet kosovare në sigurimin e përballueshëm të resurseve alternative të ngrohjes çmimi i të cilave pothuajse është trefishuar tashmë. Mbi të gjitha, riparimi i Bllokut A5 në KEK nuk duhet të presë as edhe një ditë”, theksoi ai në 10 pikat.

Për deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, Kosova mu në krye me Albin Kurti, do t’ia dal të kalojë krizën energjetike më mirë se shumë shtete tjera.

E si referencë për këtë Pacolli, e jep deklaratën e Korporatës Energjetike të Kosovës, e cila ka lajmëruar se në ditët në vijim në Kosovë do të ketë më pak reduktime të energjisë elektrike, kjo fal rikthimit nga remonti i njësisë B2 të Termostatit Kosova B.

Megjithatë deputetja Pacolli, ka harruar që më shumë se dy javë Kosova po përballet me reduktime të energjisë elektrike me intervale të ndryshme kohore dhe ato në stinën e verës kur kërkesa për energji elektrike është shumë më e vogël në krahasim me stinën e dimrit.

Pacolli më tej për ta krahasuar situatën me shtetet e rajonit ka dhënë si shembull vendimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e cila sipas saj ka shpallur gjendje krize për 30 ditë në sektorin e energjetikës.

Masa e vetme që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë deri më tani ka qenë dërgimi i disa prej termocentraleve në remont, e që një masë e tillë sipas ekspertëve të energjisë elektrike ishte konsideruar si diçka e zakonshme, e cila në fund të ditës nuk mund të kontribuojë në parandalimin e krizës energjetike e cila natyrisht gjatë dimrit pritet ta rritë intensitetin e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore