Lajme

Abdixhiku: Skandalet në spitale kanë adresë – Qeveria është e paaftë të caktojë një ministër


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rastit të trishtë që ndodhi në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për neglizhencën e treguar ndaj sektorit të shëndetësisë, i cili prej kohësh funksionon pa një ministër.

“Ndërsa, do të duhej të flisnim për spitale të reja, pajisje e barna më shumë, paga më të larta, shërbime më të denja e sigurime shëndetësore për qytetarë që shpenzojnë qindra miliona euro jashtë vendit – ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Qeveri e paaftë. Qeveri e papërgjegjshme”, shtoi ai.

“As një bebe të vogël nuk e shpëtuan dot”, Haziri: Duam përgjegjësi nga institucionet

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur indinjatën e tij lidhur me rastin e trishtë që ndodhi në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Haziri ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke e ndërlidhur rastin me një sërë rastesh tjera që kanë ndodhur në Kosovë përgjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Duke përdorur shprehjen popullore “zaman” që do të thotë “epokë”, ai vlerësoi se këto gjëra po ndodhin nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

“Vetëm në këtë zaman ka ndodhë që një foshnje të futet në lavatriçe”, shkroi Haziri, duke kujtuar se Ministria e Shëndetësisë ka mbetur prej kohësh pa ministër.

“Zaman pa ministër të Shëndetësisë. Zaman me 17 % të territorit të bllokuar e nën bojkot! Me kryeministër e president që e kanë zbulu Putinin e Ballkanit!”

“As një bebe të vogel nuk e shpëtuan dot”, theksoi Haziri teksa shtoi se “nuk e shpëtuan as studentin e shkëlqyer, Agon Musliu, gjatë pandemisë”, i cili me 3 maj të vitit 2020, ishte hedhur nga kati i katërt i konviktit numër shtatë, ku po mbahesh të karantinuar qytetetarët që po hynin në Kosovë.

Për të gjitha këto, Haziri kërkoi përgjegjësi, jo në Pejë, por në Prishtinë.

Lutfi Haziri

Në Spitalin e Pejës e kanë futur një foshnje në lavatriçe

Në Spitalin e Pejës ka dyshime se një foshnje e porsalindur pa shenja jete është futur bashkë me çarçafë në një lavatriçe.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka mundur ta konfirmojë për Albanian Post rastin.

Duke mos thënë detaje, meqë hetime janë në vazhdim e sipër, Gashi ka treguar se çfarë deri tani mund të konfirmojë policia.

“Para disa ditësh një person ka ardhur dhe ka raportuar se një natë më herët gjatë lindjes së bashkëshortes së tij foshnja ka dalë pa shenja jete dhe kur familjarët i kanë kërkuar trupin e foshnjës ata në spital nuk e kanë dhënë trupin”, tregoi Gashi.

Pas refuzimit për t’i dhënë trupin e pajetë të foshnjës “kanë ardhur e kanë raportuar rastin në polici”.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes. Është njoftuar prokurori dhe është iniciuar rasti, tani po vazhdojnë hetimet”, tha Gashi për AP.

Albanian Post ka kontaktuar edhe me Shkodran Nikqin, zëdhënës i prokurorisë së Pejës.

“Prokurori i krimeve të rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe jemi në pritjet ë raportit”, tha Nikqi, duke sqaruar se nuk ofron dot më shumë detaje, pasi “ende jemi në fazë hetimore”.

Detaje kanë dhënë familjarë të foshnjës së lindur pa shenja jete.

Sipas një interviste të publikuar nga portali Indeksonline, një person në kushte anonimiteti por që prezantohet si familjar i foshnjës, ka thënë se qysh nga momenti kur e kërkuan trupin nga spitali hezituan t’ua japin.

Ai pretendon se nga pakujdesia bashkë me çarçafë kanë futur trupin e pajetë në makinë për larje rrobash.

Nga aty, thotë se e kanë nxjerr trupin të shpërndarë në disa pjesë.

“I kanë marrë copa copa duke e futur në qese”, thotë personi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore