Kosova

Abdixhiku: Shteti i ka bllokuar investimet, bizneset në vështirësi


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ikja e të rinjve nga Kosova është problem kombëtar, teksa e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se i ka bllokuar investimet.

“Sot, po humbasim të gjithë. Shteti ka bllokuar ekonominë dhe investimet kapitale; bizneset së këndejmi janë në vështirësi; e punëtorët e vendit – njerëzit tanë – humbasin si përfundim”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook pasi ka vizituar një biznes familjar në Pejë.

“Kur shteti nuk mbështetë njerëzit e vet – bizneset që ka – as këta të fundit s‘kanë se si t’i mbështesin punëtorët e vet”.

Prandaj ai konsideron se “në këtë cikël destruktiv, humbasim të gjithë”.

Abdixhiku ka potencuar se zhvillimi ekonomik i yni arrihet njëmendtë kur shteti punon – “për dhe me – sektorin privat, e ky i fundit – për dhe me – punëtorët që ka”.

Deputeti i LDK-së ka theksuar se do ta takojë secilin biznes prodhues në Kosovë.

“Do të flasim me ta; me secilin nga ta. LDK sot po dëgjon. Nesër, me njerëzit më profesionistë e më të mirë të vendit, do t’i japim zgjidhjet e domosdoshme për ta, punëtoret e tyre dhe për vet shtetin”, shtoi ai.

Ndërsa për një vit e gjysmë Albin Kurti thotë se qeveria e tij ka mundësuar hapjen e 40 mijë vendeve të punës, derisa investime e huaja direkte kanë kapur shifrën e mbi 400 milionë eurove.

Këto shifra ka dhënë kryeministri i Kosovës në një postim të vonë të së shtunës mbrëma.

“Në vitin 2021 kishim të regjistruara 25 mijë vende pune më shumë sesa ai pararendës, kurse nga janari deri në gusht të këtij viti kemi 15 mijë vende pune më shumë”, shkruan Kurti në Facebook.

“Në periudhën janar-korrik të këtij viti vlera e investimeve të huaja direkte ka tejkaluar vlerën prej 400 milionë euro”, vazhdon ai me shpalosje.

“Pra, 47% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021 dhe 99% me shumë sesa në vitin 2020”.

Këto shifra nga kryeministri vijnë në kohën kur ka ankesa të shumta për vështirësi të bizneseve në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore