Lajme

Abdixhiku, ambasadorit italian: Institucionet të bashkëpunojnë me aleatët për ta normalizuar situatën


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ambasadori italian, Antonello De Riu.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është pritur këtë të enjte në drekë pune nga ambasadori italian, Antonello De Riu.

Lajmin e ka bërë të ditur LDK-ja përmes një komunikate për media ku është thënë se kanë biseduar për gjendjen aktuale në Kosovë.

“Kryetari Abdixhiku ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve të Republikës së Kosovës si dhe institucioneve dhe aleatëve ndërkombëtarë për të normalizuar situatën, por edhe për përgjegjësinë e Qeverisë së Kosovës për vendimet e pakoordinuara në veri”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, është shtuar se Abdixhiku ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të LDK-së për mbështetjen e vazhdueshme për të ndihmuar në situatën e krijuar.

“Në takim u diskutuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes të dyja vendeve”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ambasadori italian, Antonello De Riu.

Të mërkurën tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë.

Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërish në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Pas këtij veprimi, Kosova ka ndaluar hyrjen e të gjitha mallrave në Kosovë.

Nga Qeveria e Kosovës të enjten u tha se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, nga kryeministri Albin Kurti u tha se synimi i tyre “është siguria”.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga përleshjet ishin lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Ndërsa, më 13 qershor, Policia e Kosovës ka kryer një aksion në Veri, ku arrestoi Millun Millenkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore