Lajme

Abazoviç thotë se Kurti s’ia hapi çështjen e Demarkacionit, “është çështje e mbyllur”


Kryeministri me mandat teknik në Mal të Zi, Dritan Abazoviç, në një intervistë për televizionin publik është shprehur se “për ne çështja e demarkimit të kufirit me Kosovën është çështje e kryer”, dhe po ashtu tha se në takimet që i ka pasur këto ditë në Kosovë askush nuk ia ka hapur këtë çështje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte qenë një kundërshtar i ashpër i Demarkacionit gjatë kohës sa ishte në opozitë, mirëpo Abazoviç thotë se në takimin që pati në Kosovë, kjo temë s’ka qenë fare pjesë e bisedës.

“Në takimet zyrtare që i kemi pasur kjo pyetje nuk është adresuar, jo vetëm këto dy ditë gjatë vizitës së tanishme, por edhe më herët. Për ne është çështje e kryer, nuk mendoj se askujt i është shkaktuar ndonjë dëm”.

Tutje, ai tha se “në marrëveshjen e 2017 kanë ardhur në një marrëveshje përfundimtare dhe ajo është diçka në fuqi”.

“Kemi shumë tema të ndryshe që duhet të adresohen, nuk mendoj se duhet të kthemi mbrapa”.

Ndërsa për pikën e marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, e cila thotë që nëse ka pika kontestuese, atëherë mund të rregullohen, ai tha se për mua kjo është “okay”.

“Për ne ajo është një gjë që është në fuqi, dhe nuk e ka aktualizuar askush prej establishmentit të Kosovës kohëve të fundit këtë çështje. Nëse ekziston diçka, këtu jemi, normalisht në mënyrë miqësore të bisedojmë dhe në frymën e partneritetit, nëse diçka duhet të ndryshohet”, tha ai.

Dhe përsëriti qëndrimin e shtetit që ai udhëheqë, duke thënë se “për Mal të Zi kjo është pyetje e kryer”.

“Nuk e kemi në tavolinë”, shtoi ai.

I pyetur nëse gjatë takimeve me krerët e institucioneve të Kosovës është shtruar kjo çështje, ai tha se “jo nuk ka pasur çështje të tillë” gjatë diskutimeve me udhëheqësit e Kosovës.

Ndërsa raportet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi tha se “janë shumë të mira”.

Po ashtu, kreu i ekzekutivit malazez foli edhe për zgjedhjet në katër komunat në Veri të Kosovës, dhe për incidentet me digjen e veturave, për të cilat ai tha se “jam i njoftuar, e kemi biseduar edhe në takimin që pata me presidenten Osmani në mëngjes, shpresoj që çdo gjë do të shkojë në rregull”.

“Ne në Ballkanin Perëndimor gjithmonë kemi sfida kur organizojmë zgjedhje. Por mendoj se nëse shkohet në një marrëveshje, atëherë edhe zgjedhjet do të shkojnë më lehtë, e nëse shkohet si deri tani më një mosbesim të madh në mes të palëve, atëherë kam frikë se do të vazhdohen këso lloj incidentesh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore