Lajme

Abazoviç pritet ta marr drejtimin e MPJ-së në Mal të Zi


Dritan Abazoviç

Kryeministri me mandat teknik, Dritan Abazoviç, pritet që të udhëheqë me dy pozita kyçe në Qeverinë e Malit të Zi.

Përveç pozitës së shefit të qeverisë, ai do të drejtojë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi pas shkarkimit të Ranko Krivokapiç-it nga Parlamenti malazez.

Kurse, ministri aktual i Punëve të Brendshme, Filip Axhiç, do të marrë pozitën e ministrit të Mbrojtjes, duke zëvendësuar kështu Rashko Konjeviç-in, transmeton mediumi malazez “Antena M”.

Abazoviç të hënën 17 tetorit, kishte dorëzuar në Kuvendin e Malit të Zi iniciativën për shkarkimin e Ranko Krivokapiç-it, ministrit të Punëve të Jashtme dhe Rashko Konjeviç-it, ministrit të Mbrojtjes.

Në sqarimin e kreut të ekzekutivit thuhej se “veprimet publike të ministrave Konjeviç dhe Krivokapiç vazhdimisht kanë devijuar nga qëndrimet zyrtare të Qeverisë”.

Ndërkaq, Parlamenti i Malit të Zi, në orët e vona të 21 tetorit, ka votuar për shkarkimin e dy ministrave të Qeverisë.

41 deputetë pro-serb, nga 81 sosh kanë votuar për shkarkimin e ministrave Krivokapiç dhe Konjeviç.

Sipas vlerësimit të ish-shefit të diplomacisë malazeze, kishte “një seri të tërë lëvizjesh të koordinuara qartë, kështu që ky lloj akti destruktiv antikushtetues nga kryeministri në largim nuk është i papritur”.

Krivokapiç akuzoi Abazoviç-in se ishte “fshehur përmes shkarkimit të kolegut të tij (Sava) Kentera dhe të tjerëve, formalisht kundër agresionit rus, por në thelb mbetet një mjet kyç në zbatimin e agresionit zvarritës ndaj Malit të Zi nga Rusia dhe aleatët e saj në Ballkan”.

Kampet pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi po tentojnë të shkarkojnë nga detyra presidentin pro-perëndimor, Milo Gjukanoviç, dhe ta dërgojë para gjykatës për pretendimet për korrupsion.

Ndryshe, më 14 tetor të këtij viti, Rusia ia ka ndaluar hyrjen në territorin e saj, Ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, Ministrit të Mbrojtjes Rashko Konjeviç dhe ish-shefit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (ANB), Sava Kentera (i shkarkuar nga kryeministri Dritan Abazoviç), me pretendimin se kjo është një përgjigje ndaj “lëvizjes armiqësore” të Podgoricës për të shpallur disa diplomatë rusë persona non grata muajin e kaluar.

Kujtojmë se Qeveria e Malit të Zi është  duke funksionuar me mandat teknik që  kur parlamenti malazez ka votuar pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Dritan Abazoviç-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore