Shqipëria

Abazoviç nga Kievi: Jemi për gjetjen e një zgjidhjeje me dialog


“Ne jemi për gjetjen e një zgjidhjeje me dialog, por gjëja më e rëndësishme është ndalimi i aktiviteteve të luftës, agresionit dhe vrasjes së civilëve”.

Është kjo deklarata e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, për median malazeze “RTCG”, përcjell Albanian Post, pas vizitës në qytetet ukrainase të Borodjanka dhe Irpin.

Abazoviç, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën e 15 qershorit mbërritën në Kiev, ku patën mundësinë të vizitojnë qytetet e shkatërruara nga lufta dhe panë një katastrofë të madhe humanitare.

“Është tragjike ajo që pamë dhe dëgjuam, infrastruktura u shkatërrua, dhe përfundimi është i thjeshtë – duhet të jemi krenarë për qytetarët e Malit të Zi që zgjodhën paqen. Paqja nuk ka çmim, paqja është gjithçka që na nevojitet”.

Gjatë vizitës aty, zyrtarët lokalë u thanë kryeministrave se sa shumë qytete ishin prekur nga lufta. Delegacioni u njoftua gjithashtu se një numër i madh i qytetarëve janë kthyer në Irpin.

Gjithashtu në median sociale Twitter, kryeministri malazez ka shpërndarë të tjera detaje nga vizita në Kiev.

“Ne vizituam gjithashtu qytetin Irpin, ku u shkatërruan 1 mijë e 100 familje. Qytetarët janë larguar kryesisht nga shtëpitë e tyre, infrastruktura është shkatërruar… Ne qëndrojmë pranë Ukrainës për humbjet e shumë jetëve njerëzore dhe vuajtjet që kanë kaluar prej muajsh. Paqja nuk ka çmim”, shkruan Abazoviç,

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore