Lajme

Abazoviç me kërkesë ndaj Milatoviç-it: T’i shpallë zgjedhjet për 11 qershor


Dritan Abazovic

Kryeministri me mandat teknik në Mal të Zi, Dritan Abazoviç, ka vazhduar përsëri me kërkesa drejt presidentit të sapozgjedhur malazez, Jakov Milatoviç, ku i bëri thirrje që të anulojë dekretin e presidentit të deritanishëm malazez, Milo Gjukanoviç, për zgjedhjet parlamentare.

“E shpreha qëndrimin që qëndroj prapa, nëse zgjedhjet parlamentare zhvillohen sipas dekretit të Gjukanoviç-it, kjo do të thotë se Milatoviç dhe çdo president i mëvonshëm do të mund të shpallin zgjedhje çdo 100 ditë”, tha Abazoviç, transmeton media malazeze Vijesti.

Ai mendon që parlamenti i Malit të Zi duhet ta shkurtojë mandatin, e pas kësaj presidenti i sapozgjedhur Jakov Milatoviç, “duhet që t’i shpallë zgjedhjet për 11 qershor”.

Abazoviç shprehet entuziast dhe optimist për zgjedhjet e reja parlamentare, ku tha se partia e tij “‘Lëvizja Qytetare URA’ mezi i pret zgjedhjet parlamentare”.

“Unë sugjeroj që Kuvendi të shkurtojë mandatin dhe pastaj Milatoviç pas inaugurimit t’i shpallë zgjedhjet për 11 qershor”, tha ai.

Duke qenë se kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, e ka kundërshtuar ashpër dekretin e Gjukanoviç-it sa i përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, tani ai po tenton që ta zhvlerësojë atë përmes presidentit të ri.

Ndryshe, Mali i Zi në zgjedhjet e 2 prillit ka zgjedhur president të ri, 36 vjeçarin Jakov Milatoviç.

Ai arriti që ta mposht udhëheqësin më jetëgjatë në Evropë, Milo Gjukanoviç, i cili ishte në pushtet për 33 vite me radhë. Duke shërbyer kështu disa herë si president dhe disa herë si kryeministër.

Milatoviç kishte qenë vetëm 5 vjeç kur partia e Gjukanoviç-it (DPS) e mori pushtetin.

Në zgjedhjet presidenciale, ai ishte përkrahur nga partitë pro-serbo-ruse, dhe po ashtu nga Kisha Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore