Lajme

Abazoviç: Është e rëndësishme që Mali i Zi të ketë president, por jo Gjukanoviç-in


“Gjëja më e rëndësishme për Malin e Zi është që të ketë një president të ri dhe të mos jetë Milo Gjukanoviç”, tha kryeministri malazez me mandat teknik, Dritan Abazoviç, por ai nuk tregoi nëse Ura do të ketë kandidatin e vet në zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do të mbahen më 19 mars.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, i cili tha se Mali i Zi është në prag të kolapsit institucional.

“Escobar është mik i Malit të Zi dhe nëse e shikon nga këndvështrimi i Gjykatës Kushtetuese, askush nuk mund të injorojë se jemi në një situatë shumë të pa lakmueshme. Sa i përket gjërave tjera, mendoj se sistemi nuk ka asnjë problem me funksionalitetin dhe mendoj se këtë e ndjejnë qytetarët”, tha Abazoviç.

Ai u bëri thirrje edhe një herë deputetëve që të zgjedhin të katër gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse nuk zgjidhen më 10 shkurt, të gjithë e kanë të qartë se kush do të jetë fajtori”, ka shtuar Abazoviç.

Abazoviç ka bërë të ditur se nuk ndihet përgjegjës për kritikat nga Brukseli.

Sipas tij, Qeveria i ka kryer të gjitha detyrimet e saj dhe nëse nuk do të ishte rrëzuar, “do të kishte më shumë rezultate në rrugën e BE-së”.

Ndryshe Mali i Zi është nën presionin e Brukselit që të zgjedhë sa më parë katër gjyqtarët e munguar të Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore