Lajme

Abazoviç: Ballkani i Hapur është mjet me të cilin të gjitha vendet hapin rrugën drejt BE-së


Dritan Abazoviç

Kryeministri me mandat teknik në Mal të Zi, Dritan Abazoviç, ka folur përsëri për nismën rajonale që ai e përkrah, Ballkanin e Hapur.

“E mbështes nismën e Ballkanit të Hapur”, tha ai, dhe vazhdoi “ajo nuk është zëvendësim për Bashkimin Evropian”.

Ndërsa, ai kundërshtoi ata që mendojnë që kjo nismë e largon rajonin nga integrimi në Bashkimin Evropian.

“Është mjeti me të cilin të gjitha vendet hapin rrugën drejt Bashkimit”, shtoi ai.

Mali i Zi nuk është pjesë zyrtarisht e kësaj nisme, kjo për shkak të kundërshtimeve të shumta politike atje, e sidomos të presidentit në largim, Milo Gjukanoviç. Por për dallim nga ai, Abazoviç ka qenë një ithtarë i kësaj nisme që nga fillimi, madje ai ka marrë pjesë në disa takime që janë bërë në kuadër të Ballkanit të Hapur.

“Pas disa ndryshimeve politike, mendoj se mund t’i bashkohemi kësaj nisme”, tha Abazoviç.

Momentalisht nuk e sheh si të duhur çfarëdo vendimi që Mali i Zi të bëhet pjesë e kësaj nisme, dhe këtë e arsyeton me mos stabilitetin politik që për momentin është në shtetin malazez, pasi që shumë shpejt do të ketë zgjedhje të reja parlamentare.

“Nuk është logjike të bëhet kjo tani, duke qenë se zgjedhjet parlamentare janë caktuar për 11 qershor”.

Menjëherë pas këtyre zgjedhjeve, kreu i ekzekutivit malazez potencoi se do të shqyrtohet kjo mundësi.

“Mali i Zi tashmë është në 70 nisma rajonale, ne jemi këtu për bashkëpunim rajonal dhe ky është prioriteti ynë i politikës së jashtme”, nënvizoi ai.

Njëjtë si Abazoviç mendon edhe presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, i cili pas fitores së zgjedhjeve presidenciale me 2 prill, tha se Mali i Zi duhet të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani të Hapur”, duke shtuar se kjo nismë shkon paralel me “Procesin e Berlinit” dhe nuk duhet të shihen si konkurrente të njëra tjetrës.

“A kryhen integrimet ekonomike rajonale rreth CEFTA-s, Procesit të Berlinit apo nën kujdesin e Ballkanit të Hapur? Mendoj se këto janë procese paralele që janë komplementare”, ka thënë Milatoviç, duke shprehur edhe njëherë qëndrimin pro projektit të “Ballkanit të Hapur”.

Montenegro's Ex-Economy Minister Milatovic Leads in Presidential Run-Off - Pollster
Jakov Milatoviç

Ai tha se gjatë fushatës elektorale ka qenë mjaft transparent sa i përket “Ballkanit të Hapur”, duke pasur parasysh interpretimet e shumta politike dhe polarizimet që kanë qenë të pranishme në opinionin malazez rreth kësaj çështje.

“Kam marrë mbështetjen historike të qytetarëve dhe aktualisht kam legjitimitetin më të madh në Mal të Zi për të folur për këto tema. Dhe mendoj se edhe qytetarët ishin të qartë kur ishte fjala për atë temë. Mendoj se Mali i Zi duhet të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur”, tha Milatoviç.

“Procesi i Berlinit” nisi në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me fokus në raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin filluar ta humbnin durimin me procedurat burokratike të unionit.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik. Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka refuzuar pjesëmarrjen në çfarëdo cilësie – të paktën deri më tani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore