Lajme

Abazi pas intervistimit nga Prokuroria Speciale: Nuk do të ndalem deri në realizimin e të drejtave si deputet


Foto: Ekonomia Online.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi pas intervistimit nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratat e tij më 16 shkurt se është në dijeni të video-incizimeve të cilat, sipas tij, konfirmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e rastit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka deklaruar se nuk do të ndalet, pavarësisht limitimeve dhe presionit që mund t’i ushtrohet.

Ai i ndalur nga gazetarët pas përfundimit të intervistimit u shpreh se “qytatarit të Kosovës i garantohet e drejta e fjalës”.

“Ajo që them unë edhe si deputet edhe si qytetar i lirë i Republikës së Kosovës, të cilit i garantohet e drejta e fjalës, nuk do të ndalem që pavarësisht limitimeve që mund të ekzistojnë nga presioni deri në realizimin e të drejtave të mia si deputet dhe qytetar në një shoqëri normale”.

“Pjesa tjetër është politike, presioni mund të shkojë në drejtime të ndryshme”.

Teksa komentoi edhe shkarkimin e tij nga dy komisione, e që sipas tij arsyeja është guximi i tij për të hapur tema kritike.

“Shkarkimi im si kryetar i Komisionit vjen për shkak të guximit tim për të çelë tema kritike për shoqërinë tonë. Kur hyn palaçoja në pallat mbretëror, nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkuz. Ne kemi bërë gjithë punën tonë për ndryshimin e madh në këtë vend”.

“Kjo që po ndodh tani, përfshirë edhe shkarkimin nga z. Kurti, është rezultat i guximit qytetar dhe kryerjes së punës sipas betimit tim në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, për mostrat e gjakut të Deharit që muaj më parë u zhdukën nga Institutin i Mjekësisë Ligjore ka thënë se Prokuroria duhet ta intervistojë kryeministrin Albin Kurti, ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu e disa anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes.

Por, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati thënë se nuk e di për çka e ka fjalën deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

“Abazi s’di për çka e ka fjalën, ta njoftojë Prokurorinë Speciale, të mos tentoj të fshihet prapa imunitetit të deputetit”, tha Haxhiu.

“Ne kemi dhënë deklaratat dhe dëshmitë tona në institucionet e drejtësisë për të gjitha informacionet që i kemi. Informacionet që i kam pasur janë te institucionet. Jam e gatshëme çdoherë për t’iu përgjigjur ftesës së Prokurorisë”, shtoi ajo.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Prokuroria Speciale të martën interviston Haki Abazin për deklaratat në rastin Dehari

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore