Lajme

Abazi i tregon Kurtit “çka ka humbur” – reklamon udhëtimin në Amerikë


Jim Costa dhe Haki Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që së fundmi u shkarkua me votën e bashkëpartiakëve të tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka bërë të ditur se është për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në ditën e parë të vizitës në Washington D.C”, ka shkruar Abazi fillimisht, “jam pritur poashtu në Kongresin Amerikan nga Kongresisti Jim Costa”.

Me kongresistin amerikan, Abazi ka njoftuar se kanë diskutuar për marrëdhëniet dhe partneritetin strategjik SHBA-Kosovë, si dhe për procesin e dialogut.

“Kosova nuk mund të mbetet peng i mungesës së vullnetit të Serbisë për të respektuar fqinjët dhe mosheqjes dorë nga instrumentalizimi i minoritetit Serb kudo në rajon për të arritur objektivat e dominances në rajon dhe të qenurit dorë e zgjatur e Rusisë në rajonin e Ballkanit”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe formimi sipas kërkesës së Serbisë, sipas Abazit, do të thellonte tutje hendekun dhe problematizonte rolin e minoritetit Serb në Kosove si instrument politik e relegjioz i Begradit.

Mu për këtë arsye, i njëjti ka kërkuar ndihmë nga SHBA-të për të dalur nga kurthi ku është futur Kosova.

“Kosova është rasti më i sukseshëm në historinë moderne të intervenimeve të shteteve demokratike. Do ishte mëkat dhe humbje shumë e madhe për botën demokratike sidomos tani kur e gjithë Evropa po ballafaqohet me pasojat e agresionit Rus në Ukraine, që Kosova të lihet peng i një procesi të cilin e  ka sabotuar Serbia që të blejë kohe dhe të mos përmbushë obligimet ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Kosova dhe Serbia të hënën, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore