Lajme

AAK-ja vazhdon ciklin e diskutimeve për “situatën e rëndë politike” me bizneset e sektorit privat


Ramush Haradinaj

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas takimimeve me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave, organizatat e dala nga lufta dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të vazhdojë të hënën me ciklin e diskutimeve, të cilat fokus kanë “situatën e rëndë politike” në Kosovë.

“Grupi Parlamentar i AAK-së, në kuadër të ciklit të diskutimeve lidhur me gjendjen e rëndë në vend, organizon tryezë diskutimi me përfaqësues nga ekonomia, me bizneset e sektorit privat si dhe punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Tryeza mbahet në ora 11:00 në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Nga kjo parti opozitare, nëpërmjet një njoftimi për medie, patën bërë me dije se diskutimet “do nxjerrin modalitetet e mundshme” për të dalë nga “situata e rëndë politike” me pjesëmarrës nga jeta publike, ekspertë të fushave, përfaqësues të shoqërisë civile dhe medieve.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i vetmi lider opozitar që i ka dhënë përkrahje kryeministrit Albin Kurti për Marrëveshjen e arritur fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, pastaj në Ohër më 18 mars, për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se aty është njohja defacto nga Serbia.

Megjithatë, pas situatës së krijuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe vendosjen e masave ndëshkuese ndaj vendit nga Bashkimi Evropian për shkak të refuzimit të ekzekutivit për t’i dëgjuar kërkesat e tyre për de-eskalim, opozita po përpiqet që të gjejë një “rrugë të re” për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore