Lajme

AAK-ja kërkon që koeficienti i pagave të bëhet 129 euro


Tryeza e organizuar nga AAK-ja.

Shefi i grupit parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që koeficienti i Ligjit të Pagave të bëhet 129 euro.

24 euro më shumë nga sa u miratua në Kuvendin e Kosovës para disa muajve.

Tahiri, në një tryezë të organizuar nga AAK-ja në objektin e Kuvendit ka thënë se ky koeficient mund të bëhet vetëm me një amendament.

“Mendojmë që mënyra e vetme me i dhënë fund zhgënjimit në këto rrethana është koeficienti 129 euro. Ky koeficient mund të bëhet me një lëvizje të lehtë, me një amendament”.

“Ne përmes një analize të thellë në interpelancë i kemi treguar ministrit si bëhet, ku merren të hyrat dhe pse nuk rrezikohet substanca e buxhetit”, ka thënë Tahiri.

Ai tutje ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta mbajnë një takim me të gjerë me të gjitha sindikatat për të diskutuar rreth Ligjit të Pagave.

“AAK-ja do ta nisë hartimin e Ligjit të Pagave dhe detyrimisht Qeveria duhet ta miratojë”.

Çfarë ndodhi?

Nga 120 sa ishte vlera e koeficientit për paga në sektorin publik, Qeveria e Kosovës me Ligjin e ri e kishte ulur në 105, çka nënkupton paga më të vogla për mijëra punonjës të administratës së shtetit në të gjithë sektorët.

Vlera nuk do të barazojë atë të vjetrën as në vitin e ardhshëm, meqë është parapara që nga viti 2024 të jetë 110 euro.

Uljen e vlerës së koeficientit e kishte bërë publike vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

“Pas këtij procesi voluminoz e shumë kompleks, kemi arritur te vlera e koeficientit për vitin 2023 që është 105, e nga janari i vitit 2024, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave e Transfereve, ai do të jetë 110″, kishte thënë Kurti.

Pas këtij veprimi nga ana e Avokatit të Popullit, Ligji për Paga u dërgua në Gjykatën Kushtetuese, deri më tani partitë opozitare kanë kontestuar Ligjin për Këshillin Prokurorial, atë për Zyrtarët Publikë, Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Ligjin për Ligjin për Masat e Përkohshme Mbrojtëse për Furnizim me Produkte Themelore për Qytetarët, duke i dërguar të njëjtat në Gjykatë Kushtetuese.

Kurse, aktualisht Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim vetëm për Ligjin për Këshillin Prokurorial të cilin e ka cilësuar si anti-kushtetues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore