Lajme

A mund t’i drejtohet Vuçiç OKB-së, nëse KFOR-i refuzon kërkesën për kthimin e trupave serbe Kosovë?


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa të tjera nëse kërkesa për kthimin e personelit serb në Kosovës, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, refuzohet nga KFOR-i.

Duke iu drejtuar publikut nga Azerbajxhani dhe duke reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, ai ndër të tjera deklaroi se në vend që Serbia të marrë përgjigje nga KFOR-i, ata po marrin përgjigje nga Gjermania.

“A janë bërë komandantë të KFOR-it apo janë bërë anëtarë të Këshillit të Sigurimit pasi që unë nuk kam qenë i informuar. Në shkallën e dytë, ne mund ta kërkojmë atë nga Këshilli i Sigurimit si dikush që ka votuar për atë rezolutë. Por në fund nuk e kuptova se çfarë lidhje kishte me Gjermaninë”, deklaroi Vuçiç.

Mirëpo, diçka e tillë është praktikisht e pamundur, pasi po të ndodhte do të nënkuptonte dorëzimin e detyrimeve për sigurinë në Kosovë.

“Nëse do të ketë kërkesë, çka nuk besoj se do të jetë rasti, nuk ka asnjë shans që KS-ja të miratojë ndonjë kërkesë të tillë. Siguria në Kosovë garantohet nga institucionet dhe nga KFOR-i”, theksuan burime diplomatike për Albanian Post.

Ndërkaq, edhe Radomir Dikliç, ish-ambasadori i Serbisë në Francë, në një prononcim për mediumin opozitar serb “Danas”, potencoi se çdo shtet anëtar mund t’i drejtohet KS-së, por në këtë rast nuk do të ketë efekt praktik, përveç një diskutimi të mundshëm.

“Në thelb, në KS keni tre anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje – Francën, Amerikën dhe Britaninë e Madhe – prandaj nuk mund të ketë rezultat konkret dhe nuk ka shanse teorike që të arrihet diçka”.

Gjithashtu, Kosova është njohur nga 116 kombe të botës, përfshi ShBA-në, Britaninë e Madhe dhe katër shtetet tjera të QUINT-it, si dhe Deklarata e Pavarësisë është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (korrik 2010), plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244.

Kujtojmë se më 16 dhjetor, në vendkalimin kufitarë në Merdarë, KFOR-i pranoi kërkesën e Serbisë për kthimin e deri një mijë pjesëtarëve të forcave të sigurisë serbe në territorin e Kosovës – sipas Rezolutës (sëpari nuk specifikohet të jetë ushtarak, pra literalisht saktësohet të jenë qindra, jo mijëra).

Megjithatë KFOR-i ka bërë të ditur se është duke e shqyrtuar kërkesën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore