Lajme

A mund të shtyhen zgjedhjet në Kosovë?


Ilustrim

Zgjedhjet lokale në Kosovë nuk mund të shtyhen, “Ligji në asnjë rrethane nuk parasheh se zgjedhjet lokale mund të shtyhen, por se qartazi ka caktuar afatin kohor se zgjedhjet nuk mund të shtyhen më shumë se 30 dite pas kalimit të mandatit ekzistues”.

Kështu ka thënë për Albanian Post, juristi Mentor Beqiri, sipas të cilit “Kushtetuta e Republikës se Kosovës nuk parasheh në asnjë nen se zgjedhjet lokale mund të shtyhen, as në gjendjen e jashtëzakonshme”.

Madje sipas Beqirit, as Ligji për Gjendjen e Jashtëzakonshme ne Kosovë nuk ka paraparë shtyrje të zgjedhjeve, “konstatojmë se zgjedhjet lokale në Kosovë duhet të mbahen konform Ligjit për Zgjedhjet Lokale, neni 4 pika 2, çdo 4 vite”.

Ndërkaq për shkak të pandemisë, parë nja viti ish-presidenti Hashim Thaçi, kishte marrë vendim për të shtyrë zgjedhjet për kryetarë të Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.

Por sipas Beqirit, “paralelja se janë shtyrë zgjedhjet komunale në Podujevë vitin e kaluar nuk qëndron, për shkak se vitin e kaluar është ndërruar vetëm kryetari dhe jo kuvendi komunal, pasi që nuk kishin kaluar 4 vite”, theksoi Beqiri.

Zgjedhjet lokale nuk ka kompetencë t’i shtyjë as presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani, ka thënë për Albanian Post se për shtyrjen e zgjedhjeve lokale ose jo vendos Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Presidentja nuk vendos për kohëzgjatjen e fushatës zgjedhore. Kjo është përgjegjësi e Komisionit Qendror Zgjedhor”, tha Kupina.

Ndërkohë edhe Albert Krasniqi, nga organizata jo-qeveritare Demokraci Plus, ka komentuar mbi idenë e VV-së për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, me pretekstin se mund të përkeqësohet situata me pandeminë.

Sipas tij, kjo po bëhet sepse partisë qeverisëse nuk po i dalin mirë numrat në fushatë.

“Është mirë kur politikanët tregohen të ndjeshëm ndaj shëndetit të qytetarëve, por këtë ndjeshmëri nuk e kemi parë në zgjedhjet e 14 shkurtit kur ftonin qytetarët të merrnin pjesë në marshe masive të fushatës zgjedhore. Atëherë mund të jenë ndjerë më afër pushtetit”, ka shkruar në Facebook Krasniqi.

Në anën tjetër kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se “askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet. Askush s’guxon ta prekë demokracinë”.

Komenti i Abdixhikut ka të bëjë me disa lajme – përkundër se asgjë zyrtare – se Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve.

Në anën tjetër ai ka theksuar propozimin e LDK-së për shkurtimin e fushatave zgjedhore, për të cilën thotë se është propozim “i përkrahur” nga të gjitha partitë e tjera opozitare.

Por, nuk kanë pranuar ende asnjë përgjigje nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ndryshe zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të mbahen më 17 tetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore