Lajme

A mund të gjejë përkrahje SEFT(j)A e Kurtit?


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë me gazetarë

Angazhimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që marrëveshja ekzistuese për Bashkëpunimin Ekonomik Rajonal (CEFTA), të zëvendësohet me Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të Evropës Juglindore (SEFT), e cila është modeluar nga Zona Ekonomike Evropiane (EEA) dhe Shoqata Evropa e Tregtisë së Lirë (EFTA) po shihet si model teorikisht i realizueshëm, por praktikisht i pa mundur pasi që ky model është interes vetëm i Kosovës.

Kështu vlerësim i ka bërë Timothy Less, menaxher i projekteve në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Kembrixhit.

Këtë propozim Kurti e përmendi për hertë të parë në Samitin e Tiranës, ku ishin të pranishëm të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Herën e dytë, si propozim e dha në takimin e fundit të bisedimeve në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndërsa për të tretën herë rreth SEFTA-s foli në Samitin e Vjenës.

Sipas Less, njohësit të Ballkanit, që dha një intervistë për mediumin serb Danas, Kurti “pranon nevojën për integrim ekonomik rajonal, i cili është thelbësor për një vend të vogël pa dalje në det siç është Kosova”, transmeton Danas.

Less konsideron se Kurtit nuk i pëlqen CEFTA andaj “dëshiron ta zëvendësojë atë me një organizatë të re në të cilën Qeveria e Kosovës do të përfaqësonte Kosovën”.

Timothy Less, menaxher i projekteve në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Kembrixhit

Kjo do të konsolidonte statusin e pavarur të Kosovës. Po ashtu edhe Mini-Schengeni nuk parapëlqehet nga Kurti ndërsa atë e sheh, ose të paktën kështu e ka shprehur, si “përpjekje të Vuçiçit për të krijuar një Jugosllavi të re dhe për ta kthyer Kosovën në orbitën e Serbisë”.

Por, sipas Less, propozimi i Kurtit nuk është i përshtatshëm për Serbinë, andaj edhe propozimin e Kurtit “vetëm Shqipëria mund ta përkrahë, potencialisht”.

“Mund të ndodh vetëm për solidaritet me Kosovën, por kjo do të nënkuptojë një kthim prapa në përpjekjet e saj për të krijuar Mini Schengen”.

Modeli EEA-EFTA, të cilin kryeministri Kurti e mbrojti si një “recetë” për Ballkanin Perëndimor, është krijua në fillim të viteve të ‘90-ta për të lehtësuar pjesëmarrjen tregtare në tregun Evropian nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe disa vende jo anëtare të BE-së.

Vendet e EEA janë Austria, Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Qipro, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.

EEA është në të vërtetë një zonë e tregtisë së lirë midis Bashkimit Evropian dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), që do të thotë se shumë kufizime janë hequr për prodhimin, si dhe për rrjedhën e parave, shërbimeve dhe njerëzve midis vendeve nënshkruese.

Kjo marrëveshje u jep qytetarëve të tridhjetë vendeve të mbuluara nga Zona Ekonomike Evropiane (EEA) mundësi të jetojnë, të punojnë, të fillojnë një biznes ose studim në ndonjë nga këto vende.

Mirëpo, duke u bazuar në rregulloret aktuale, ata ende mbajnë shtetësinë e vendit të tyre të lindjes dhe nuk mund të aplikojnë për shtetësi. Për më tepër, rregulloret e EEA-së rregullojnë kualifikimet profesionale dhe koordinimin e sigurimeve shoqërore, pasi lëvizja e lirë e njerëzve midis vendeve nënshkruese është inkurajuar.

Marrëveshja aktuale e Tregtisë së Lirë në Ballkan (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore – CEFTA) është nënshkrua më 2006 në Bukuresht nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia (Maqedonia e Veriut e sotme), Moldavia, Rumania, Mali i Zi, Serbia dhe Administrata e Përkohshme e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Marrëveshja ka hyrë në fuqi në të gjitha vendet nënshkruese. Kjo marrëveshje ka krijuar një zonë të tregtisë së lirë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar zyrtarisht për zhvillimin ekonomik “duke treguar se janë në gjendje të ndjekin një politikë të përbashkët ekonomike dhe të marrin përgjegjësi për të ardhmen e të gjithë rajonit” e që është perspektiva evropiane dhe anëtarësimi i tyre në Bashkimin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore