Lajme

A ka paraqitur Serbia kërkesë zyrtare për kthimin e trupave në Kosovë? – Flasin nga KFOR-i për AP


KFOR

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR), nuk ka qenë në gjendje ta mohojë, por as ta pohojë se Serbia zyrtarisht i është drejtuar me një kërkesë për kthimin 1 mijë trupave serbe në Kosovë.

Në një përgjigje për Albanian Post, zëdhënësi i KFOR’it, Vincenzo Grasso, ka bërë të ditur se “Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe Organizatat e Sigurisë së Kosovës dhe me Shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë”, duke e menjanuar pyetjen e AP-së në lidhje me paralajmërimet e Serbisë se do të paraqesë kërkesë zyrtare për kthimin e personelit serb në Kosovë.

Nga KFOR-i është thënë se mision i tyre për mbrojtjen e shtetit të Kosovës është i qartë dhe se ata vazhdojnë zbatimin e përditshëm të mandatit, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të zbatuar mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

“Kjo përfshin patrullimet e zgjeruara në veri të Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thuhet mestjerash.

Ndryshe, zyrtarët më të lartë insitucionalë në Serbi, pas tensioneve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, janë organizuar rreth një tendence qesharake për kthimin e personelit serb në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të KS-së së OKB-së e vitit 1999.

Qeveria e Serbisë, në mbledhjen e saj të radhës, pritet të vendosë për dërgimin apo jo të kërkesës tek Komandanti i KFOR-it, për alokimin e 1 mijë pjesëtarëve serbë nga institucionet e sigurisë për në Kosovë.

Megjithatë, ky pretendim i zyrtarëve serbë u kundërshtua në mënyrë të ashpër nga emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Baerbock.

Kosova është njohur nga 116 kombe të botës, përfshi ShBA-në, Britaninë e Madhe dhe katër shtetet tjera të QUINT-it, si dhe Deklarata e Pavarësisë është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (korrik 2010), plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244.

Çfarë ndodhi në vitin 2003, kur Gjingjiç kërkoi nga NATO kthimin e ushtarëve serbë në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore