Teknologji

Toshiba refuzon ofertën e CVC-së


Kompania konglomerate japoneze, Toshiba Corp, ka vendosur të mos vlerësojë një ofertë blerjeje prej 20 miliardë dollarësh nga CVC Capital Partners duke thënë se i mungojnë detajet dhe se ngelet e hapur për oferta të besueshme.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se Toshiba ka arsyetuar se letra e re drejtuar kompanisë mbi ofertën e propozuar më parë nga CVC-ja, nuk ofronte informacionet e nevojshme në mënyrë që të ishte në gjendje të vlerësonte ofertën.

“Kjo letër nuk përmbante asnjë informacion specifik dhe të detajuar, të aftë për vlerësim të hollësishëm”, ka deklaruar Toshiba duke shtuar se “meqenëse këtij propozimi paraprak i mungojnë informacionet e nevojshme që bordi ka kërkuar, nuk mund të vlerësohet”.

Ajo çka thuhej në letër ishte e paqartë nëse CVC-ja po tërhiqej nga oferta e saj e mëparshme, por sipas Toshiba-s, ajo do të thoshte që propozimi nuk kishte gjasa të vazhdonte më tej pasi oferta e fundit ishte e pakërkuar.

Burimet e Reuters kanë nxjerrë në pah se propozimi i CVC-së kishte shkaktuar një reagim të fortë nga menaxherët e Toshiba-s duke i shtyrë ata të lobojnë ndaj qeverisë dhe huadhënësve të saj.

Nobuaki Kurumatani. Drejtori i përgjithshëm i Toshiba-s, ka dhënë dorëheqjen lidhur me propozimin e CVC-së që është ish punëdhënësi i tij. Kjo për shkak të kritikave që oferta, e cila premtoi të mbajë menaxhimin, ishte pjesërisht e dizajnuar për të mbrojtur Kurumatani-n nga aksionerët aktivistë.

Ndërkohë Toshiba ka pranuar se do të vazhdojë të shqyrtojë dhe vlerësojë çdo ofertë të besueshme. Gjithashtu ka shtuar se “të qenit një kompani e tregtuar publikisht siguron një strukturë të qëndrueshme të kapitalit”.

Mbi të gjitha, ka mohuar që struktura aktuale e aksionerëve të Toshiba-s, e cila ka një bazë të madhe të aksionerëve aktivistë, mund të ketë ndikuar negativisht në vlerën e saj të korporatave.

Gjatë muajit të kaluar, në një mbledhje urgjente, investitorët kanë fituar një votë për të krijuar një hetim të pavarur nëse menaxhmenti kishte ushtruar më parë presion ndaj aksionerëve për të mbështetur nominimet e dëshiruara të bordit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore