Sport

Donnarumma në dyshim rinovimin e kontratës me Milanon


Problemet me rinovimet e kontratave të futbollistëve te klubi i Milanos nuk kanë të ndalur.

Pas qarkullimit të lajmeve se mesfushori turk, Hakan Calhanoglu, nuk do të rinovoj kontratën me Milanon, tani situata te “kuqezinjtë” është ndërlikuar edhe më shumë.

La Gazzeta dello sport raporton se portieri i Milanos, Gianliugi Donnarumma, është në dyshime për të vazhduar kontratën e re e cila i skadon në qershor të këtij viti.

Donnarumma siç thuhet, ka marrë një ofertë nga klubi i Paris Saint Germain, për një kontratë pesë vjeçare, me një pagë prej 12 milion euro në sezon.

Drejtuesit e klubit të Milanos, janë gati t’i ofrojnë gardianit të tyre një marrëveshje të re me vlerë tetë milion euro në sezon, mirëpo si duket nuk është e kënaqshme për 22-vjeçain.

Gazeta më parë raportoi se Donnarumma ishte duke pritur për konfirmimin e një vendi në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër, përpara se të nënshkruante një marrëveshje të re me Milanon.

Por, raportimi pretendon se agjenti i tij, Mino Raiola, ka marrë një propozim për një lëvizje diku tjetër me kushte më të mira të kontratës.

Andaj mbetet në dyshime se portieri i klubit “kuqezi” a do të qëndrojë në Milano në të ardhmen apo jo.

Donnarumma aktualisht është lojtari i dytë më i paguar në ekipin e Milanos, me një pagë prej gjashtë milion euro në sezon.

Vlera e tij në treg sipas “transfermarkt” është 60 milion euro, dhe në rast të mos rinovimit të kontratës së re, ai mund të jetë një transfer i ri në klubin e Parisit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore