Sport

Ekipet angleze të interesuara për talentin e Red Bull Salzburg


Manchester United, Liverpool dhe Arsenal, janë të interesuara për të siguruar shërbimet e sulmuesit të talentuar Patson Daka.

Daka, aktualisht luan te skuadra austriake Red Bull Salzburg, i cili në këtë sezon po shkëlqen, ku në 32 paraqitjet në të gjitha garat, ka shënuar 30 gola.

Ai madje shënoi një tregolësh brenda 11 minutash në fitoren e fundit që skuadra e tij e mori të dielën përballë Sturm Graz me rezultat 3:1.

22-vjeçari është pjesë e ekipit Salzburg që nga qershori i vitit 2017, i cili në 115 paraqitjet e tij, ka arritur të shënojë plotë 64 herë.

Reprezentuesi i Zambias ishte i lidhur me klubet e Premier Ligës edhe më parë, por spekulimet mbi të ardhmen e tij janë rritur edhe më shumë, pas formës së mirë që po e tregon ai.

Ndryshe vlera e tij sipas “Transfermarkt” aktualisht është 20 milion euro.

Daka po cilësohet një talent sikurse ish-sulmuesi tjetër i Salzburgut, Erling Haaland, i cili tani po kërkohet nga të gjithë klubet e mëdha të Evropës, dhe kartoni i tij tani më është plotë 180 milion euro.

Dhe klubet e mëdha evropiane, mund ta tranferojnë Patson Daka me një çmim shumë të volitshëm, duke llogaritur se tek ai shihet një e ardhme premtuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore