Shqipëria

Faza e tretë e aplikimit për bursë


Deri më datë 25 janar 2021 është faza e tretë e dorëzimit të dokumentacioneve për studentët të cilët aplikojnë për bursë financiare pranë fakulteteve ku ndjekin programin e tyre të studimit.

Në VKM nr. 39 datë 23.01.2019 “Për disa ndryshime në VKM nr. 903 datë 21.12.2016 për përcaktimin e kritereve dhe përfitimin e bursave nga Fondi i Mbështetjes Studentore”, bëhet me dije se kategoritë kryesore të studentëve që përfitojnë bursë janë studentët ekselentë dhe ata të cilët vijnë nga shtresa në nevojë.

Për studentët ekselentë kriteri kryesor është mesatarja vjetore nga nëntë deri në dhjetë. Ndërsa, studentët që vijnë nga shtresa në nevojë duhet të paraqesin dokumentacionet përkatëse që vërtetojnë përfshirjen e tyre në një nga nënkategoritë.

Shuma që derdhet në llogarinë bankare të secilit student përfitues është 10 mijë lekë dhe nis pas aplikimit.

Në vendim bëhet me dije se nga mbështetja financiare përjashtohen studentët që janë duke ndjekur një program të dytë studimi dhe studentët përsëritës.

Gjithashtu, nga Këshilli i Ministrave është përcaktuar edhe Fondi i Ekselencës për studentët ekselentë dhe nëpunësit civilë të cilët dëshirojnë të kryejnë studimet jashtë vendit.

Në bazë të VKM-së nr.160 datë 19.02.2020 “Për mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer dhe nëpunësve civilë”, mbështeten financiarisht nga shteti shqiptar, studentët që do të ndjekin studimet e ciklit të dytë apo të tretë jashtë vendit dhe nëpunësit civilë të cilët do të ndjekin jashtë vendit një program 1 vjeçar Master të ciklit të dytë ose të tretë.

Një prej kritereve për përfitimin e bursës është edhe pranimi nga ana e studentëve për të punuar në institucionet e administratës buxhetore shqiptare dhe institucionet e pavarura publike në Shqipëri për së paku dy vite pas përfundimit të studimeve.

Ndryshe nga vitet pararendëse, për shkak të COVID-19, dorëzimi i dokumentacioneve kryhet përmes shërbimit postar në adresën përkatëse të fakultetit së bashku me formularin e aplikimit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore