I akuzuari Shaban Gogaj për vrasjen e rëndë të Agonis Tetajt, nuk e ka pranuar fajësinë.
Ai është arsyetuar duke thënë se e gjithë ngjarja “ka ndodhur pahiri”.
Sipas avokatit mbrojtës të tij, Besnik Berisha, po të ishte aktakuza në vrasje nga pakujdesia Shaban Gogaj, do ta pranonte fajësinë.
Si Berisha edhe Gogaj, e ka konsideruar të kundërligjshme aktakuzën për vrasje të rëndë derisa e kanë konsideruar të çuditshëm vendimin e Apelit që ka kthyer lëndën në rigjykim.
“Rihapja e gjykimit është bërë me qëllim të sigurimit të provave të reja dhe meqenëse ky veprim ka rezultuar i pasuksesshëm, aktakuza e vetme e ligjshme që duhet të procedohet në këtë gjykim është aktakuza e ndryshuar në procesverbal, në datën 16.03.2021”, tha avokati Berisha, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.
Rasti i vrasjes së Agonis Tetajt
Më 28 mars, departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit, e ka kthyer në rigjykim rastin e Shaban Gogajt i cili nga Gjykata Themelore e Pejës ishte dënuar me vetëm 7 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e Agonis Tetajt.
Një vendim i tillë ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.
“Anulohet aktgjykimi ndaj të akuzuarve Sh.G. dhe I.C., ndërsa çështja kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit për Krime të Rënda, është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan-Departamenti për Krime të Rënda, ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është anuluar dhe çështja është i kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhej në njoftimin e Apelit.
Apeli në këtë rast konsideron se Themelorja nuk i vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale.
Më 14 tetor, Shaban Gogaj ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.
Ky vendim ishte marrë nga Gjykata Themelore në Pejë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com