Një 15-vjeçar ka gjetur vdekjen në një lavazh këtë të premte të 18 gushtit.
Sipas informacioneve, minoreni ishte i punësuar atje, ku si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike ka ndërruar jetë.
Ngjarja sakaq, mësohet se ka ndodhur në Dimal.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. H., 37 vjeç, banues në Dimal, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
“Mëngjesin e sotëm, në lavazhin në pronësi të 37-vjeçarit, një shtetas 15 vjeç, banues në Dimal, i cili punonte si ndihmës, në këtë lavazh, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë, ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, vijojnë hetimet për të dokumentuar përgjegjësinë penale të shtetasit A. H.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com