Teknologji

Analog Devices, 21 miliardë dollarë për Maxim-in


Analog Devices Inc (ADI), prodhuesi amerikan i gjysmëpërçuesve, është vendosur të fitojë miratimin e pakushtëzuar të antitrustit të Bashkimit Evropian për marrjen e Maxim Integrated Products me një vlerë prej 21 miliardë dollarësh.

Agjencia e lajmeve, Reuters, e cila mbart ekskluzivitetin e lajmit, tregon se kjo është marrëveshja më e madhe e bërë nga ADI dhe do të rezultojë në rritjen e pjesës së saj të tregut automobilistik dhe në prodhimin e çipave për rrjetin 5G.

Gjithashtu do t’i mundësojë kompanisë të konkurrojë me firmat më të mëdha duke përfshirë edhe Texas Instruments.

Autoriteti që është planifikuar të vendosë mbi ofertën deri më datë 31 mars, i cili është Komisioni Evropian, nuk ka pranuar të komentojë mbi çështjen.

Ngjashëm me të, ADI-ja dhe Maxim-i, nuk kanë pranuar të japin një përgjigje të menjëhershme për të qartësuar situatën.

Ndërkohë, Reuters bënë me dije se aksionet e Maxim-it janë rritur me 2.9% dhe ato të ADI-së kanë pësuar një rritje me 2.7%.

Kombinimi i kompanive pritet të jetë me sukses pasi fuqia e ADI-së është në segmentet e gjera industriale të komunikimit dhe të kujdesit shëndetësor digjital. Nga ana tjetër, Maxim-i është i fortë në tregjet e automjeteve dhe qendrave të të dhënave.

ADI-ja, me qendër në Norwood, Massachusetts, furnizon sensorë, konvertues të të dhënave, amplifikatorë dhe produkte të tjera të përpunimit të sinjalit në një pjesë të gjerë të industrive nga transporti te shërbimet shëndetësore. Nuk mbeten pas as instrumentet apo pajisjet portative të konsumit.

Maxim-i, me bazë në San Jose, California, harton dhe prodhon gjysmëpërçues analog që përdoren në makina, prodhim, energji, komunikim, kujdes shëndetësor dhe pajisje të tjera të lidhura me to.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore