Lajme

Gisele Bundchen e quan “vdekjen e një ëndrre” ndarjen nga Tom Brady


Supermodelja e njohur Gisele Bundchen, e ka cilësuar si “vdekjen e një ëndrre”, ndarjen e saj nga legjenda e futbollit amerikan, Tom Brady.

Pas 13 vitesh martesë, çifti shpalli divorcin tetorin e vitit 2022, duke shokuar edhe gjithë opinionin publik, i cili e mbante dyshen si një ndër ikonat e lidhjeve të gjata në botën e spektaklit.

“Është shumë e vështirë, sepse e kisha imagjinuar në një lloj mënyre dhe bëra gjithçka munda për ta shpëtuar martesën”, bëri me dije Bunchen gjatë një interviste për revistën e njohur amerikane, Vanity Fair.

Ajo gjithsesi i hodhi poshtë spekulimet, në të cilat thuhej shpesh herë se arsyeja e vërtetë e ndarjes, ka qenë rikthimi i Bradyt në sport, pas tërheqjes së tij nga futbolli amerikan.

Ajo ka saktësuar se në media, çështja nuk është paraqitur e plotë dhe se përtej këtij fakti, ka shumë më shumë çfarë fshihet pas divorcit të famshëm.

“Unë gjithnjë kam qenë mbështetësja më e zjarrtë e tij dhe do të vazhdoj të jem. Nëse ka një person, për të cilin unë dua që të jetë më i lumturi në botë, është ai, më besoni. Dua që gjithë ëndrrat e tij, të bëhen realitet”, shtoi më tej Bundchen.

Ata kanë dy fëmijë së bashku dhe tashmë Brady është tërhequr përfundimisht nga sporti i luajtur.

Por, sërish, ndarja e tyre mbetet dhe kthim pas, të paktën në fjalët e Gisele, nuk ka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore